A do të përfshihet Komisioni i Venecias në ‘betejën’ e Vetëvendosjes me Gjykatën Kushtetuese?

Verdikti i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që i jep të drejtë presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në vendimin e dekretimit të Avdullah Hotit të LDK-së si mandatar për formimin e qeverisë së re, pas shkarkimit të qeverisë Kurti dhe mos-përgjigjes së Vetëvendosjes për të dërguar emër të ri, ka ngjallur reagime të ashpra tek këta të fundit.

Lajme

29/05/2020 21:26

Lëvizja Vetëvendosje përveç paralajmërimeve për protesta të cilat kanë marrë edhe formën e “provës për protestë”, për dy herë me radhë, është edhe kërkesa në Komisionin e Venecias për interpretim të verdiktit të Kushtetueses, shkruan lajmi.net.

Sipas kësaj, VV siç po shihet do t’i shkojë deri në fund rrugëve ligjore që të parandalojë krijimin e qeverisë së re – për legalitetin dhe legjitimitetin e së cilës nuk i ka bindur Gjykata Kushtetuese me verdiktin e dhënë.

E subjekti i kryeministrit aktual në detyrë, Albin Kurti pritet t’i drejtohet Komisionit të Venecias lidhur me dekretin e shpallur nga Gjykata Kushtetuese dje – i argumentuar si në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Një veprim të tillë e paralajmëroi dje edhe ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca në një debat televiziv, menjëherë pas vendimit të Kushtetueses.

Lajmi.net është interesuar në lidhje me qëndrimin e Komisionit të Venecias sa i përket një kërkese të tillë të dytë.

Komisioni i Venecias është pyetur nëse ka ende ndonjë mundësi të mbetur që ky dekret të kthehet për interpretim në Komisionin e Venecias.

Zyra për media e këtij Komisioni, për lajmi.net kanë lënë të kuptohet se janë të gatshëm, dhe se në momentin që një kërkesë e tillë vije, ata do të japin përgjigjen e tyre, mirëpo pa specifikuar nëse do ta marrin nën shqyrtim.

“Komisioni i Venecias do të merr vendim kur dhe nëse një kërkesë e tillë na vjen”, thuhet në përgjigjen e Komisionit të Venecias për lajmi.net

Komisioni i Venecias i gatshëm t’i përgjigjet sërish Kurtit: Nëse na vije kërkesa, do të marrim vendim

E politologu dhe njohësi i Kushtetutës, Ramush Tahiri për lajmi.net ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk mund të ishte ndryshe nga kjo.

Sipas tij, pretendimet e Lëvizjes Vetëvendosje si subjekt fitues nuk qëndrojnë për arsye se qeveria krijohet nga shumica parlamentare, ndërsa subjekti fitues me Kushtetutë e ka të garantuar mandatarin e parë, por kjo jo domosdoshmërisht do të thotë se mund ta formojë qeverinë.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk mund të ishte ndryshe. Edhe më herët kam deklaruar se Gjykata Kushtetuese pas shqyrtimit do të vendos se dekreti i Presidentit të Kosovës për Avdullah Hotin është në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës, ndërsa pretendimet e Lëvizjes Vetëvendosje si parti fituese e Zgjedhjeve Parlamentare të 6 tetorit 2019 me të cilat e kundërshtonte dekretin nuk qëndrojnë sepse në demokracitë parlamentare, qeveritë gjithmonë i krijon shumica parlamentare, ndërsa subjekti fitues politik me Kushtetutë e ka të garantuar se e merr mandatin e parë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, por ai nuk e bënë qeverinë pa i siguruar votat e nevojshme në Kuvend, sepse Kuvendi me shumicë votash, së paku 50 për qind + 1 e voton dhe e zgjedh Qeverinë e Kosovës e jo populli në zgjedhje të drejtpërdrejta”, tha Tahiri.

Më tutje, lidhur me çështjen e Komisionit të Venecias, Tahiri është shprehur se ky institucion nuk do të merrë në shqyrtim kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje për interpretim të verdiktit të Gjykatës Kushtetuese.

Tahiri gjithashtu ka thënë se në praktikën e këtij Komisioni, asnjëherë nuk ka ndodhur që të ketë vendim kundër Gjykatës Kushtetuese si në këtë rast, duke shtuar se vendimi Kushtetueses do të mbetet në fuqi.

“Në historinë parlamentare nuk njihet rast e as që ka shembull që partia ose koalicioni fitues edhe nëse i ka 49 për qind të votave ta bëjë Qeverinë pa i pasë votat e nevojshme që është më shumë se gjysma e të gjithë deputetëve të deklaruar me votë, duke konsideruar se e drejta për me e pasë mandatin nuk do të thotë edhe e drejtë se patjetër e realizon sukseshëm mandatatin se kjo nuk bëhet me dekretim të presidentit, e as me drejtën e të parit po me aktin e votimit në Kuvend. Nëse Vetëvendosje i drejtohet Komisionit të Venecias, kjo punë do të jetë e kotë. Ky institucion as që do ta merr në shqyrtim lëndën. Pra, nuk do të ketë asnjë situatë të re, kjo pasi që ky institucion asnjëherë në praktikat e veta nuk ka marrë vendim kundër Gjykatës kushtetuese si në këtë rast. Pra, po e them se Komisioni i Venecias nuk do ta merr në shqyrtim lëndën dhe ai vendim do të mbes në fuqi, dhe si i tillë duhet të pranohet nga të gjithë, madje edhe nga nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës.”, tha Tahiri për lajmi.net.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se do të ketë edhe protesta lidhur me verdiktin e Gjykatës Kushtetuese dhe formimin e qeverisë së re të Kosovës të udhëhequr nga Avdullah Hoti. /Lajmi.net/