A do të ndryshojë jeta e shqiptarëve në Serbi pas vizitës së Ramës (Video)

Vizita e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Serbi, duke përfshirë edhe Luginën e Preshevës, është parë jo vetëm si një vizitë historike, por edhe si një hap që do të ndikojë shumë në të ardhmen e kësaj popullsie atje.

Lajme

14/11/2014 20:01

Shqiptarët e kësaj ane thonë se pas kësaj do të ketë ditë të mira për Luginën e Preshevës.

“Unë mendoj se kjo është një vizitë historike kur një kryeministër mbas 68 vitesh vjen dhe viziton Luginën. Ne si qytetarë e kemi pritur me një kënaqësi të madhe. Mendoj se është Edi Rama njeriu që e meriton dhe i cili ka bërë një punë të madhe kur ka bërë vizitën këtu. Shikohet edhe ditën kur ka ardhur ka qenë popullata që e ka pritur me të mëdhenj e të vegjël. Mendoj se do të bëhet më mirë, popullata ka shumë të mira nga një kryeministër i cili i di hallet se ne kemi mjaft probleme, papunësia është e madhe dhe besoj se do të ketë një ndihmesë të madhe për ne si shqiptarë”. 

“Me vizitën e kryeministrit me të vërtetë popullata e Luginës së Preshevës me kënaqësi e ka pritur. Besoj se në të ardhmen me të vërtetë do të ketë një përkrahje të shqiptarëve këtu dhe të drejtat e tyre të realizohen për ne që jetojmë këtu”. 

 “Pas 68 vjetësh një një vizitë e një burrë shteti si kryeministri Edi Rama arriti të vizitojë trojet tona. Arriti një marrëveshje me qeverinë serbe pastaj vizitoi ne këtu në Luginë si shqiptarë. Mendoj që do të ketë dicka sigurish në të mirë të kësaj popullate”. 

Por, ka edhe nga ata që mendojnë se nuk është bërë aq sa duhet për këtë vend, duke u bërë thirrje për ndihmë politikës shqiptare, madje dhe asaj kosovare.

“Padyshim vizita e Edi Ramës sa i përket anës simbolikës është shumë domethënëse kurse nga anët e tjera kam rezerva pasi politika shqiptare si në Shqipëri ashtu edhe Kosovë nuk kanë bërë aq sa duhet për Luginën e Preshevës. Më tepër duhet që edhe kryeministri i Shqipërisë edhe i Kosovës të mendojnë për këtë popullatë nga ana ekonomike. Çdo i ri që ka kryer një shkollim të lartë duhet që dy qeveritë shqiptare t’i sigurojnë atyre së paku një gjysmë rrogë që ajo ndihmë modeste të kontribuojë së paku që kjo Luginë të mos zbrazet. Përndryshe vetëm me fjalë nuk mund të arrijmë asgjë. Të ndihmohet në mënyrë ekonomike sidomos ajo e shkolluar të mbetet dhe të japë kontributin për këtë Luginë.Do të ketë ditë të mira për shqiptarët në Luginë por ne duhet të bashkohemi e të mendojmë për njëri tjetrin në mënyrë të sinqertë”.

Ndonëse kryeministri Rama ka 3 ditë që ka ikur nga Lugina e Preshevës posterat e banderolat me emrin “Mirë se vjen kryeministër” në rrugë e ndërtesa qëndrojnë ende aty. Lugina e Preshevës, ku gjenden komuna me të njëjtin emër si dhe ajo e Bujanocit dhe Medvegjës, të cilat banohen nga shumica shqiptare është mjaft e varfër ekonomikisht dhe banorët vuajnë nga papunësia e lartë. (A1Report)