4.500 vende pune, premton Demiri
Sipas Basri Demirit, ky synim do të arrihet duke e fokusuar programin e tij në krijimin e klimës së përshtatshme për joshje të investitorëve të jashtëm në Lipjan.
Lajme
Kandidati për Kryetar të Komunës së Lipjanit nga Aleanca për Lipjanin, Basri Demiri, ka garantuar elektoratin lipjanas se nëse i besohet atij mandati për ta udhëhequr këtë komunë gjatë 4 viteve të ardhshme, do të krijojë 4500 vende të reja pune.
Sipas tij, ky synim do të arrihet duke e fokusuar programin e tij në krijimin e klimës së përshtatshme për joshje të investitorëve të jashtëm.
Demiri ka premtuar se në mandatin e tij 4 vjeçar komunës së Lipjanit do t’i shtohen së paku 12 fabrika të mëdha si fabrika e këpucës, fabrika e përpunimit të lëkurës, fabrika e drurit, dhe të subvencionohen bizneset e vogla e të mesme të cilat veprojnë në këtë Komunë.
“Në mandatin tim 4 vjeçar joshja e investitorëve të huaj, investitorët nga mërgata dhe subvencionimi i bizneseve të vogla janë ndër prioritetet kryesore në të cilat e kemi bazuar zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës”, është shprehur Demiri.
Demiri ka shtuar se gjatë qeverisjes së tij 4 vjeçare po ashtu prioritet të veçantë do t’i kushtojë edhe bujqësisë, zhvillimit të arsimit, kulturës, rinisë dhe sportit.
Në garën për Kryetar të Lipjanit, aleanca e Basri Demirit është duke u mbështetur edhe nga Aleanca Kosova e Re e Behgjet Pacollit.