Shprehia e keqe e bojkotimit
KDI ka shprehur shqetësim për bojkotin që po i bëhet kohëve të fundit seancave në Kuvend të Kosovës nga partitë politike. Veprime të tilla, sipas KDI’së, po ia humbin rëndësinë Kuvendit.
Lajme
Bojkotimi i seancave në Kuvendin e Kosovës po krijohet si një shprehi e partive politike dhe po vë jashtë loje organin legjislativ të vendit.
Këtë konstatim e ka bërë Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), pas bojkotit që i bëri PDK dhe partnerët e saj të koalicionit qeverisës AKR e minoritetet, seancës së sotme, ku pritej të diskutohej për formimin e Komisionit Hetimor ndaj procesit të privatizimit të PTK’së.
KDI, përmes një komunikate, ka kërkuar që të ndalen bojkotet dhe të kthehet normalizimi i punës në organin më të lartë në vend.
“Instituti Demokratik i Kosovës shpreh shqetësimin lidhur me mbarëvajtjen e punës së Kuvendit të Kosovës, me theks të veçantë në dy seancat e fundit plenare”.
“KDI konsideron se rastet e bojkotit të seancave plenare nga subjektet politike shumicë që udhëheqin me vendin, janë bërë shprehi e shpeshtë në praktikën tonë parlamentare përkundër që ato janë panjohura për praktikat parlamentare të vendeve demokratike”.
“Me bojkotin e shumicës parlamentare të seancës plenare të datës 03 tetor 2013 dhe seancës së sotme plenare, objektivisht Kuvendi i Kosovës po vihet jashtë funksionimit dhe kjo i cenon jo vetëm agjendat parlamentare në një demokraci por edhe sistemin politik dhe rendin kushtetues në vend”.
“Qasja e tillë po pengon implementimin e mandatit kushtetues të Kuvendit, ku vetëm në agjendën e sotme kishte për miratim katër Projektligje si dhe kompletimin e organeve udhëheqëse të institucioneve të pavarura shumë të rëndësishme si AKP (Agjensioni Kosovar i Privatizimit dhe OSHP (Organi Shqyrtues i Prokurimit)”.