Pse u refuzua Vulin?
Pjesëmarrja e Vulin në një tubim parazgjedhor në Gorazhdec më 14 tetor ka qenë arsyeja pse atij iu refuzua hyrja në Kosovë në vizitën planifikuar për sot. Kjo mund të shërbejë edhe si paralajmërim për vizitën e Ivica Dacic që pritet të ndodh më 19 tetor.
Lajme
Ministri Pa portofol në Qeverinë e Serbisë kishte planifikuar që ditën e sotme ta kalojë në Kosovë bashkë me një koleg të tij nga kjo qeveri, por kërkesa e tij u refuzua nga Qeveria e Kosovës.
Burime të lajmi.net thonë se përgjigja negative në kërkesën e Vulin’it ka ardhur për shkak të pjesëmarrjes së tij në një tubim zgjedhor në Gorazhdec më 14 tetor 2013 kur ai ndodhej në Kosovë me leje të autoriteteve të Kosovës.
Vulin para tri ditësh ka qëndruar edhe në Kllokot ku u kishte bërë thirrje serbëve lokalë që të votojnë për Iniciativën Qytetare Serbe, në kundërshtim me atë që Kryeministrat Hashim Thaci dhe Ivica Dacic janë marrë vesh në Bruksel.
Bëhet e ditur se në përputhje me kriteret dhe procedurat që janë në fuqi për vizitat e zyrtarëve të lartë të Serbisë në Kosovë, ata zyrtarë që vizitojnë Kosovën nuk kanë drejtë të bëjnë deklarata politike që bien ndesh me rendin kushtetues të Kosovës.
Për më tepër zyrtarët e qeverisë së Serbisë nuk mund të marrin pjesë në mënyrë aktive në fushatën elektorale për zgjedhjet lokale në Kosovë dhe të bëjnë thirrje publike për të votuar një subjekt të caktuar politik. Zyrtarëve të qeverisë së Serbisë iu lejohet të zhvillojnë vizita në Kosovë vetën të natyrës humanitare dhe religjioze për shkak se Serbia ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Burime të lajmi.net bëjnë të ditur se Qeveria e Republikës së Kosovës ia ka bërë të qartë një gjë të tillë edhe kryeministrit të Serbisë Ivica Dacic i cili ka paralajmëruar një vizitë në Kosovë më 19 tetor. Vizita e Kryeministrit të Serbisë Dacic e paralajmëruar në Kosovë, sipas këtyre burimeve mund të ndodhë vetëm nëse përmbushen të gjitha kriteret dhe procedurat që janë në fuqi.
Deklaratat e Vulin’it në favor të Iniciativës Qytetare Serbe janë kritikuar edhe nga lideri i serbëve të Kosovës, ministër në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rasic, si dhe nga lideri i serbëve të nga Mitrovica e Veriut, Oliver Ivanovic.