Kurban Bajrami, sakrificë dhe solidaritet

Në Prishtinë, manifestimi qendror i faljes së Namazit të Bajramit u zhvillua në Xhaminë e Madhe “Sulltan Mehmet- Fatih”, ku drejtuesit e Bashkësisë Islame bënë thirrje për më shumë unitet, humanizëm dhe solidaritet.

Lajme

15/10/2013 07:52

Besimtarët e fesë islame në gjithë Kosovën po kremtojnë sot Festën e Kurban Bajramit, e cila sipas Islamit qëndron fuqishëm mbi parimet e fisnikërisë, bujarisë, flijimit dhe sakrificës.

Bajrami i Vogël, apo siç njihet ndryshe Kurban Bajrami, është edhe kurorëzim i Haxhit, kushtit të pestë të Islamit, në të cilin demonstrohet uniteti, barazia, solidariteti dhe devotshmëria.

Në Prishtinë, manifestimi qendror i faljes së Namazit të Bajramit u zhvilluar në Xhaminë e Madhe “Sulltan Mehmet- Fatih”, ku drejtuesit e Bashkësisë Islame bënë thirrje për më shumë unitet, humanizëm dhe solidaritet.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, tha se kjo  festë është e solidaritetit edhe me të varfërit që në Kosovë nuk janë të paktë.

“Unë ju ftoj nga ky vend i shenjtë, nga kjo xhami, që të shtrini dorën e ndihmës ndaj të gjithë atyre që kanë nevojë”.

“Mos kurseni të gëzoni shpirtrat e shumë skamnorëve e jetimëve, t’ua riktheni qoftë edhe për një kohë të shkurtër buzëqeshjen e humbur pa fajin e tyre”.

“Të gëzoni shumë nëna e baballarë me rastin e kësaj feste duke ua begatuar sofrat e tyre se nëse ne jemi në ndihmën e vëllaut tonë, Allahu do të jetë në ndihmën tonë”.

“Sot, në ditën e kësaj feste, ai që ka mundësi të prejë kurban, le ta ndajë me të varfërit – një pjesë t’ua dhurojë të afërmve, kurse një pjesë ta përdorë për veten dhe familjen e tij”.

“Ndaj, edhe në këtë ditë, ne duhet të shijojmë vlerat që ka kjo festë, si ndjenja për të bërë mirë e për t’u solidarizuar me njerëzit e vullnetit të mirë, si shprehje e pastërtisë shpirtërore, si rast për t’u pastruar nga çdo e metë dhe gabim. Për t’u kthyer edhe më fuqishëm në forcimin e besimit te Krijuesi fuqiplotë, sepse vetëm kështu meritojmë të jemi pjesëtarë të denjë të një Bajrami me kaq vlera, siç është Kurban Bajrami”.

Tërnava bëri thirrje që të shtrihet dora e pajtimit dhe të mos këtë armiqësi.

“Mirëqenia dhe begatia duhet të jenë në jetën e çdo besimtari”.

“Kurban Bajrami na përkujton manifestimin e besimit dhe dashurisë”.

Festimi i Kurban Bajramit, pas faljes në xhami ka vazhduar me ritualin e prerjes së kurbanëve, për të treguar sakrificën.

Kurbani ju shpërndahet familjeve skamnore, ndërkohë që festa e Kurban Bajramit kulmon me drekën kushtuar kësaj feste si dhe me vizitat tek të afërmit.