Vataj premton shkolla e terrene sportive
Kandidati i PDK’së për Komunën e Suharekës, Ramë Vataj, thotë se qeverisja e PDK’së do ta nxjerrë këtë qytet nga izolimi.
Lajme
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për Komunën e Suharekës, Ramë Vataj, ka vazhduar fushatën e tij elektorale në fshatrat Reqan, Krushicë dhe Mohlan, ku bashkë me ekipin e tij ka shpalosur programi zgjedhor.
Vataj deklaroi para banorëve të këtyre fshatrave se me ardhjen e tij në pushtetin komunal, Suhareka dhe fshatrat e saj do të dalin nga izolimi, në të cilin, sipas tij, e ka futur qeverisja e tanishme, dhe do të jetë zëri i therandasve në Qeverinë e Kosovës.
“Koncepti qeverisës i PDK’së është që qytetarët të qeverisin përmes ndihmës së drejtpërdrejt që do ta japin vetë ata – në menaxhimin e komunës”.
“Ne do ta rinovojë shkollën e fshatit Reqan, e cila në kushtet e tanishme nuk i plotëson kriteret për proces të rregullt mësimor”.
Vataj premtoi se do ta zgjidh edhe problemin e ujit që ky fshat e ka me urgjencë, si dhe do t’i rregullojë trotuaret dhe do t’i shtrojë rrugicat e lagjeve.
“Në Reqan do ta ndërtojë edhe një urë për lagjen Fetaj, si dhe do ta realizojë projektin e një dige për ujitjen e arave”.
Të takimin me banorët e Mohlanit dhe të Krushicës, Vataj premtoi se do ta rikthejë në funksion Zyrën e Gjendjes Civile në Mohlan, e cila do t’ua lehtësojë marrjen e shërbimeve të gjendjes civile, shumë baronëve të fshatrave malore të Suharekës. Ai, po ashtu, u tha banorëve të Mohlanit se do ta rregullojë rrugën në qendër të fshatit, si dhe do t’i ndërtojë disa terrene sportive për rininë e Krushicës dhe të Mohlanit.