PDK shtynë tubimin në Malishevë

Hashim Thaçi merr pjesë sot në tubimet elektorale në Skenderaj e Drenas, ndërsa anulon tubimin në Malishevë.

Lajme

08/10/2013 09:48

Partia Demokratike e Kosovës ka shtyrë mbajtjen e tubimit elektoral në qytetin e Malishevës, të paraparë për sot, në orën 15:00.

Kryetari i PDK’së, Hashim Thaçi, pas kthimit nga Brukseli, ku mbrëmë ka zhvilluar një takim të përbashkët me Kryeministrin e Serbisë Ivica Dacic dhe Kryediplomaten e BE’së Ashton, do të mbajë një tubim të hapur, në Sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj, në orën 12:00. Një orë më vonë, PDK do të mbajë takim në Drenas, ndërsa Malisheva ishte paraparë që të jetë destinacioni i fundit për sot për tubimet e mëdha elektorale të kësaj partie.

“Njoftohen mediat se tubimi elektoral i paraparë sot në Malishevë, në orën 15, shtyhet. Për kohën e mbajtjes do t’ju njoftojmë me kohë”, thuhet në njoftimin e PDK’së.

Zëdhënësi i PDK’së, Blerand Stavileci, thotë për lajmi.net se Malisheva është bastion i kësaj partie, ndërsa takimi elektoral i paraparë për sot, është shtyrë për arsye objektive.

“Ferizaj, Klina, Malisheva dhe disa vende ku janë bastionet tona i kemi shtyrë për arsye objektive, në mënyrë që disa komunave të tjera  t’ju japim përparësi në fillim për sa i takon agjendës”.

Ndryshe, në Malishevë pritet të zhvillohet një garë e fortë mes PDK’së së Thaçit dhe Iniciativës Qytetare të Fatmir Limajt, e cila garon kundër partisë më të madhe në vend edhe në Drenas, me mbështetjen edhe te ish zyrtarit të lartë të kësaj partie, Jakup Krasniqi.