LDK flet për Rilindje
LDK hap fushatën në Prishtinë, në Sheshin dhe me Emrin e Rugovës. Isa Mustafa thotë se oferta e LDK’së është siguri, punësim, e zhvillim ekonomik. Foli për fitore dhe kërkoi t'u thuhet \"jo\" shkelësve të ligjit.
Lajme
Me Shtatoren e Presidentit “Ibrahim Rugova” në ballë dhe nën tingujt e himnit ‘Kur ka ra Kushtrimi në Kosovë“, Lidhja Demokratike e Kosovës ka hapur zyrtarisht fushatën për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.
Në tubimin e mbajtur në Sheshin që mban emrin e themeluesit të LDK’së, Isa Mustafa deklaroi se kjo parti më 3 nëntor do të dalë forca e vetme e besueshme e qytetarëve të Kosovës.
“Jam krenar dhe i privilegjuar që sot, së bashku me ju, të fillojmë rrugëtimin tonë të përbashkët drejt një fitoreje të re – për ta vazhduar projektin e komunës sonë – një Prishtine moderne, shembull të synimit për Kosovën e së nesërmes”.
“Po e nisim pikërisht këtu – këtë rrugë tonën, në Sheshin ‘Ibrahim Rugova’, për të dëshmuar se vizioni për Prishtinën dhe Kosovën është i bazuar mbi vlerat e qytetarit tonë dhe se lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e bëmë me arkitektin e shtetësisë sonë, Presidentin Rugova”.
Isa Mustafa tha se beson në qytetarin e komunës së Prishtinës dhe në fitoren e tij.
“Ne po ecim përpara, sepse ju po e riafirmoni shpirtin triumfues mbi shumë probleme dhe vështirësi, shpirt i cili krijon besim dhe shpresë që çdo njeri t’i realizojë ëndrrat e veta. Ne jemi një familje e madhe dhe e përkushtuar për shtetin, kombin dhe për çdo njeri. Jemi familje që beson e familje që i besojnë”.
Isa Mustafa kërkoi që të bëhet vendosja e një standardi të zgjedhjeve, një standardi evropian ku nuk do të cënohet vota e asnjë qytetari dhe ku do të ketë rregull dhe rend.
“Duam garanca që vota nuk do të shërbejë si mjet i shitje-blerjes por si një shprehje e vullnetit të lirë të qytetarit të Kosovës. Duam që zgjedhjet të jenë të drejta dhe të ndershme”.
Mustafa tha se LDK do të jetë fuqia e ndryshimeve pozitive në vend, që nuk përjashton, por bashkon për të mirën e vendit, që nuk përjashton, por ndihmon për të mirën e vendit.
“Këto do të jenë zgjedhje që do t’i paraprijnë zgjedhjeve të përgjithshme – që do të ndryshojnë pamjen e Kosovës sot, të një imazhi të rëndë në botë, të pashpresë dhe të përulur. Janë zgjedhje që do të ndalin rrënimin e shtetësisë.”
“Oferta jonë për juve, kudo, në çdo pjesë të vendit, është shumë e drejtpërdrejtë: siguri, punësim, zhvillim ekonomik”.
“Unë jam me ju pikërisht në kohën kur na duhet kjo rilindje – ringritje e shtetit tonë – e që do të bëhet së bashku me ju, hap pas hapi. Unë jam me ju në kohën kur shtetit i duhet forca e ndryshimit!”
“Jam me ju ditën e votimeve. Atë ditë do t’i themi jo qeverisjes arbitrare, do t’u themi jo shkelësve të ligjit, do t’u themi jo premtimeve.”
“Me 3 nëntor do të konfirmojmë se ne duam Kosovën ku prioritet i parë do të jetë zhvillimi ekonomik dhe punësimi; Kosovën me qeverisje të mirë; Kosovën pa korrupsion, me sistem të fortë të drejtësisë dhe gjyqësisë; Kosovën, që ushtron pushtetin dhe sovranitetin në tërë territorin e saj; Kosovën e zhvilluar e të sigurt, e dalë nga izolimi, anëtare e Bashkimit Evropian, Kosovën që vazhdon miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Duam një Kosovë në të cilën pushteti i përkushtohet qytetarit”.
(Video: lajmi.net)