Serbia anulon takimin në Bruksel
Serbia ka anuluar takimin për lëvizjen e lirë në Bruksel. Kjo vjen si rezultat i vendimit të Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar zyrtarët e Qeverisë së Serbisë për të marrë pjesë në fushatën zgjedhore në Kosovë.
Lajme
Takimi i paraparë për sot për çështjet e lëvizjes së lirë në mes të Kosovës dhe Serbisë, ka dështuar, pasi pala serbe ka anuluar pjesëmarrjen e saj.
Anulimi vjen një ditë pasi Qeveria e Kosovës refuzoi pjesëmarrjen e Kryeministrit serb Ivica Dacic, në hapjen e fushatës së Listës Serbe në Shterpcë, që ngjalli reagime të forta të palës serbe.
Qeveria e Kosovës, përmes një komunikate për media, njofton se, Delegacioni i Kosovës, i drejtuar nga Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka vazhduar takimet e dialogut të Brukselit, ku gjatë ditës së mërkurë ka zhvilluar me palën serbe takimin për çështjen e zbatimit të marrëveshjes për doganat.
“Ndërsa takimi i paraparë për sot për çështjet e lëvizjes së lirë nuk është mbajtur me fajin e palës serbe, e cila ka anuluar pjesëmarrjen në takim”.
“Në Bruksel ishte paraparë të mbahej edhe takimi për çështjen e lëvizjes se lirë. Në ketë takim është dashur të diskutohen çështjet e pengesave të krijuara lidhur me ekstrakte personale për përdorim në kalimet kufitare në mes të dy vendeve, hapja e pikave të reja kufitare ku qytetarët e Republikës së Kosovës mundë të hynë apo kalojnë nëpërmjet territorit të Serbisë”.
“Në ketë takim pika të veçanta për diskutim kanë qenë edhe heqja e pengesave për lirinë e lëvizjes në pjesën veriore të Kosovës, me theks rruga në drejtim të pikës kufitare në Bërnjak, ku ende barrikadat e vendosura nga grupe kriminale pengojnë lirinë e lëvizjes së qytetarëve, zyrtarëve qeveritarë dhe të institucioneve ndërkombëtare”.
“Mirëpo ky takim u anulua dhe sipas njoftimeve zyrtare nga BE-ja shkak për anulim ka qenë refuzimi i palës serbe që të marrë pjesë në takim”.