Liverpooli e sheh titullin me njërin sy
Liverpooli e ka bërë një hap gjigant drejt titullit të kampionit në Premierligë, pasi e mposhti rivalin kryesor, Manchester City. Sterling, Skrtel e Coutinho, ishin heronj të Reds ndaj Citizens.
Sport
Liverpooli e sheh titullin e kampionit në Angli me njërin sy, pas fitores së madhe të regjistruar të dielën në Anfield Road ndaj Manchester Cityt me rezultat 3:2.
Reds ishin bindshëm më të mirë në pjesën e parë, ndërsa në atë të dytë City e ka treguar forcën e tij.
Raheem Sterling i kaloi vendësit në epërsi në minutën e gjashtë, ndërsa Martin Skrtel me kokë e shtoi avantazhin në minutën e 26-të.
Në pjesën e dytë, mysafirët filluan furishëm, duke e ngushtuar fillimisht rezultatin me anë të David Silvas në minutën e 57-të, ndërsa Glen Johnson shënoi autogol pas pesë minutash.
Por, kur pritej që udhëtuesit të shënonin sërish, Philippe Courinho doli në skenë, duke e realizuar golin e tretë për mikpritësit në minutën e 78-të. Në fund të ndeshjes, Henderson u ndëshkua me karton të kuq, pas një ndërhyrjeje të ashpër.
Liverpooli është i pari në tabelë me 77 pikë, ndërsa City i treti me 70, por me dy ndeshje më pak të zhvilluara.