Drejtori i autobusëve me pagë sa të Shpend Ahmetit
Veç dhjetë euro është dallimi i rrogës së kryetarit të Prishtinës Shpend Ahmeti me shefin të Stacionit të Autobusëve të Prishtinës, Elez Gashi. I pari e ka pagën 1210 euro, e i dyti 1200.
Ndërmarrja Stacioni i Autobusëve është nën autoritetin e Komunës së Prishtinës që nga viti 2012.
Punëtorët e kompanisë kanë rroga tejet të larta krahasuar me standardin në Kosovë, shkruan sot gazeta Tribuna.
Për 61 punëtorë, veç vitin e kaluar u shpenzuan rreth 600 mijë euro në paga.
Në Raportin e punës për vitin 2013 të hartuar nga Bordi i drejtorëve të ndërmarrjes të cilin e posedon gazeta, thuhet se për pagat e 61 punëtorëve, brenda vitit janë shpenzuar 592,093,46 euro.
Nga kjo shifër, rroga mesatare mujore në këtë ndërmarrje është rreth 800 euro për të punësuar.
Ndonëse nuk specifikohet se sa është paga për punëtorët, gazeta merr vesh se shefi i Stacionit, Elez Gashi, ka pagë në vlerë prej 1200 eurove, të pasuar nga menaxherët.
Mosha mesatare e personelit është 51-vjeçare. Nëntë janë me përgatitje superiore, një me shkollë të lartë, 44 me shkollë të mesme, gjashtë me tetëvjeçare dhe një i pakualifikuar.