Ka elemente turbulluese në Veri

Kryeministri Hashim Thaçi thotë se kushtet për zgjedhje në veri ekzistojnë, pavarësisht se ka elementë që kërkojnë trazira. Përkundër lëvizjeve në partinë e tij, Thaçi tha se PDK do të mbetet parti fituese.

Lajme

27/09/2013 08:37

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, i cili ndodhet në New York, për takime me udhëheqës ndërkombëtarë, ka thënë se zgjedhjet komunale të 3 nëntorit do të hapin një kapitull të ri për normalizimin e plotë të gjendjes në veriun problematik të vendit.

Në një intervistë për Zërin e Amerikën, Thaçi  është shprehur se kushtet për zgjedhje në veri ekzistojnë, pavarësisht se ka elementë që, siç u shpreh ai, kërkojnë trazira dhe përpiqen të frikësojnë qytetarët.

Por Qeveria e Thaçit përballet me një sfidë të vështirë, zgjedhjet komunale në veri, të cilat janë pjesë e zbatimit të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë të arritur në muajin prill në Bruksel.

“Ka kundërshtime, por ka edhe angazhime për një konkurrencë të shëndoshë politike. Për herë të parë po organizohen zgjedhje lokale në veri të vendit, ku edhe ato katër komuna do të integrohen në Kosovë dhe ata qytetarë të Kosovës do të marrin pjesë në zgjedhje për herë të parë sipas standardeve evropiane dhe në përputhje të plotë me legjislacionin kosovar. Jam shumë optimist se pas 3 nëntorit do të hapet një kapitull i ri për Kosovën, kapitulli evropian, një kapitull i normalizimit të plotë të gjendjes në veri,” tha Kryeministri Thaçi.

Por vrasja e një pjesëtari të EULEX’it kohët e fundit në veri, i ka shtuar shqetësimet se gjendja atje mund të mos jetë e përshtatshme për zgjedhje.

“Në veri janë të përshtatshme kushtet për zgjedhje por ende ka elementë që nuk duan zgjedhje, ende ka elementë që duan trazira, që duan të frikësojnë qytetarët. Por atje do të ngadhënjejë demokracia, do të ketë zhvillim ekonomik, investime dhe do të hapet një kapitull i ri, kapitulli evropian,” tha Kryeministri Thaçi.

Thaçi nuk u vuri rëndësi disa lëvizjeve brenda partisë së tij, që kanë çuar në nisma të reja politike, të cilat po mbështeten edhe nga njerëz, më parë shumë të afërt me të, si kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi dhe ish zëvendësi i tij, Fatmir Limaj. Ai tha se partia e tij do të arrijë fitore bindëse në zgjedhje.

“Konkurrenca e vlerave – dhe Kosova tashmë është mësuar me këtë konkurrencë tash 15 vite – i ka dhënë një mesazh të plotë shëndetit të politikës kosovare, prandaj Partia Demokratike e Kosovës është dhe mbetet partia më e madhe dhe partia fituese në zgjedhjet e ardhshme”.

I pyetur nëse disa prej kandidatëve të partisë së tij që po hetohen për vepra të ndryshme, duke përfshirë akuza për korrupsion, mund ta dëmtojnë partinë e tij, Thaçi tha:

“Unë nuk dëshiroj të përzihem me sistemin e drejtësisë. Ka kandidatë të partive të ndryshme, qoftë për asambletë apo për komunat që kanë qenë të trajtuar nga organet e drejtësisë.”