Milazim Abazi aderon në AAK
Milazim Abazi, ish Drejtor i “Kasabank” ka aderuar sot në AAK. Ai ka thënë se këtë vendim e ka marrë pasi ka ardhur në përfundim se “AAK ka program më të avancuar se partitë tjera” në fushën e ekonomisë.
Lajme
Ish Drejtori i “Kasabank”, Milazim Abazi, që nga sot është pjesë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Ekonomisti Abazi ka aderuar sot në partinë e Ramush Haradinajt. Këtë ai e ka bërë publike në një takim që ka zhvilluar me Haradinajn.
Ai ka thënë se vendimin për t’iu bashkuar AAK’së e ka marrë pasi ka ardhur në përfundim se AAK “ka program më të avancuar se partitë tjera”.
“Tanimë është e qartë për çdokënd se jeta në Republikën e Kosovës është bërë shumë e rëndë, me plot probleme sociale e politike”.
“Pas analizave personale dhe këshillimeve me miqtë e shumtë, kam ardhë në përfundim se kjo gjendje është pasojë e keqqeverisjeve të deritanishme”.
“AAK ka program të mbështetur në koncepte profesionale, të shëndosha dhe demokratike dhe më të avancuar se patrit tjera në vend dhe fuqimisht mendoj se kontributin tim mund ta jap në kuadër të AAK’së”.
“Për këtë arsye, kam vendosur që nga dita e sotme të jem pjesë e kësaj partie politike”, ka thënë Milazim Abazi.
Abazi në vitin 2007, ishte arrestuar për shkak të dyshimeve ndaj fondeve të mbledhura për Fondin për mbrojtjen e Ramush Haradinajt, gjatë kohës sa ky i fundit po mbrohej nga akuzat e Tribunalit të Hagës për Krime Lufte. Në vitin 2010, Milazim Abazi ishte liruar nga të gjitha pikat e akuzës, duke u shpallë i pafajshëm.