Jahjaga e Thaçi përkulen në nderim të Familjes Jashari

Dita e dytë e 'Epopesë së UÇK’së' nisi me homazhe në varrezat e Jasharajave në Prekaz. Atje janë përkulur në nderim të veprës sublime të Komandantit Legjendar Adem Jashari e familjes Jashari Presidentja, Kryeministri dhe udhëheqës të tjerë të partive politike.

Lajme

06/03/2014 11:01

Në ditën e dytë të “Epopesë së UÇK’së”, Presidentja Atifete Jahjaga dhe Kryeministri Hashim Thaçi kanë bërë homazhe në kompleksin “Adem Jashari” në Prekaz.

Jahjaga, Thaçi dhe kabineti qeveritar janë përkulur me nderim para veprës sublime të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari.

Presidentja Jahjaga tha se çdo vit në këtë ditë Kosova përkujton dhe nderon sakrificën sublime të gjithë atyre që dhanë jetën për shtetin, për lirinë dhe për paqen.

“Lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vepra dhe rënia e komandantit legjendar Adem Jashari dhe sakrifica e familjes emblematike Jashari dhe rënia në altarin e lirisë e të gjithë atyre bijave dhe bijve, është bazamenti i Republikës së Kosovës, shtet sovran dhe i pavarur”.

“Është dëshmia më e mirë për shtetin tonë, për Republikën e Kosovës, që është shtet i barabartë si me popujt e tjerë të shteteve të tjera të Evropës dhe me një të ardhme të qartë drejt integrimeve evropiane, euroatlantike dhe në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Edhe kryeministri Thaçi, ka çmuar sakrificën e Jasharajve dhe gjithë të rënëve, për lirinë e Kosovës.

“Jemi sot këtu në Prekaz për të bërë nderimet tona shtetërore në këtë kohë të konsolidimit dhe forcimit të shtetit tonë, të forcimit të subjektivitetit tonë ndërkombëtar të Kosovës, në këto ditë kur edhe themeluam Ushtrinë e Kosovës – Forcat e Armatosura të Kosovës”.

“Jemi këtu për të marr edhe më tepër energji, shpresë, optimizëm dhe besim për të kujtuar dhe nderuar veprën heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari, familjes Jashari, gjithë dëshmorëve të lirisë, gjithë veteranëve të luftës, për të respektuar sakrificën e familjeve të dëshmorëve dhe gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës për sakrificën e tyre sublime për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

“Duke punuar sot të gjithë së bashku, që në një të ardhme të afërt Kosova të jetë në mënyrë të dinjitetshme dhe meritore pjesë e NATO’s, Bashkimit Evropian, por edhe e Organizatës së Kombeve të Bashkuara”.

Homazhe pranë kompleksit memorial në Prekaz ka bërë edhe ambasadori në largim i Shqipërisë, Islam Lauka dhe drejtues të partisë më të re ’Nisma për Kosovën’.

Lauka tha se nuk do të mund të largohej pa nderuar këtë familje.

Kurse, kryetari i këshillit të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi foli për sakrificën e kësaj familje, ndërkaq, Fatmir Limaj vlerësoi lartë heroizmin e kësaj familje të dhënë 16 vjet më parë.

Po ashtu homazhe në Prekaz ka bërë dhe një delegacion i Aleancës Kosova e Re si dhe qytetarë të shumtë.