Dëshira për të shërbyer
Lutfi Haziri ka marrë përsipër t’ia kthejë Gjilanit LDK’në dhe LDK’së Gjilanin, pas gjashtë vjetësh të shkurorëzimit. Thotë se i ka 1.000 aryse pse po kandidon. Vetë ka bërë një rikthim. Më 4 nëntor, Luta mund të bëhet prapë gjilanas. Kështu po beson ai.
Lajme
E kishte lënë Gjilanin në vitin 2005 për një post në Qeverinë e Kosovës.
Lutfi Haziri ishte larguar nga Gjilani pasi Presidenti i atëhershëm i Kosovës Ibrahim Rugova e kishte ftuar të bëhet pjesë e Qeverisë së koalicionit LDK-AAK si Ministër i Pushtetit Lokal.
Pesë vjet të kaluara në krye të Komunës, atëbotë, i kishin dhënë ambicien se mund t’ia dalë në sprova të reja politike.
Por, pas tetë vjetësh karrierë politike në Prishtinë, Lutfi Haziri ka vendosur të provojë edhe një herë duke kandiduar për Kryetar të Komunës, që ai e cilëson si të harruar. Me synimin jo për të qeverisur, por “për të shërbyer”.
“Ne kemi gjetur një fakt që është jashtëzakonisht i dhimbshëm: 90 për qind e qytetarëve të Kosovës nuk kanë qenë kurrë në Gjilan pas luftës”, thotë ai, në një intervistë për lajmi.net.
Kjo, sipas Hazirit, është pasojë e mungesës së investimeve në Komunën e Gjilanit nga Qeveria Qendrore dhe Lokale, që të dyja të drejtuara nga PDK’ja rivale.
LDK e ka kandiduar Lutfi Hazirin për Kryetar të Komunës së Gjilanit për zgjedhjet e 3 nëntorit, në përpjekje për ta kthyer kontrollin mbi këtë Komunë, të cilin e humbi në vitin 2007.
“Pritjet e elektoratit fillimisht kanë qenë me mosbesim. Unë kam pasur problem deri në javën e parë të shtatorit, deri në certifikimin tim që t’u shpjegoj dhe t’i bind që kandidaturën e kam me gjithë mend. Tani besimi po kthehet, besimi po rritet, mbështetja po rritet”.
“Do t’i eliminoj të gjitha këto plagë institucionale që i janë shkaktuar Gjilanit dhe gjithë atë kontribut që ka dhënë Gjilani t’i kthehet me investime”.
Katër vjet më parë, Kryeministri Hashim Thaçi kishte premtuar investime nëntëshifrore për këtë qytet, por Haziri ka një tjetër mendim për këtë.
“Ka premtuar 120 milionë investime për Gjilanin, por nuk kanë ardhur as 9 e as 11 milionë”.
“Do ta detyroj Qeverinë nesër që jo vetëm t’i shlyejë borxhet, që e ka dërguar Gjilanin në Komunën me borxhet më të mëdha, po do ta detyroj që t’i kthejë investimet”.
“Asnjë investim i infrastrukturës, objekteve në komunitet, qofshin ato sektori i bujqësisë, shëndetësisë, rinisë, kulturës ose edhe sportit, nuk kanë pasur kujdes institucional karshi komunave të tjera”.
Por, pse po kthehet në Gjilan njeriu të cilin gjilanasit janë mësuar ta quajnë “Luta”?
“Jo 7 a 8, po janë bërë 1 mijë arsye pse kam vendosur të kthehem”.
Ndër to, ai thotë se qeverisja aktuale e Gjilanit e ka zhytur këtë Komunë në borxhe, nepotizëm, korrupsion dhe depresion të madh ekonomik.
Për të qenë edhe më keq, Haziri thotë se Qeveria Qendrore e ka diskriminuar Komunën në lindje të Kosovës edhe në ndarjen e buxhetit.
“Unë jam borxhli ndaj vendit tim, ndaj qytetit tim, që sot për Gjilanin të jap kontributin tim, ta bëj ofertën time që ta nxjerr nga kjo gjendje e rëndë e gjendjes ekonomike dhe sociale e politike”.
“Nëse e krahasojmë me Pejën, Gjilani jep detyrime komunale më shumë se Peja, ndërsa merr grante një herë më pak se Peja. Qytetari i Gjilanit padrejtësisht është dënuar, jep më shumë dhe merr më pak”.
Votuesit e Gjilanit i kishin dhënë një drejtim tjetër jetës së Lutfi Hazirit kur e kishin votuar në mënyrë plebishitare për Kryetar të Komunës në vitin 2000. Atëherë ai ishte vetëm 29 vjeçar. Mbështetje të njëjtë mori edhe në vitin 2002.
“Gjilanit ja kam borxh. Dua ta jap kontributin tim”.
Nëse i duhet një fillim i ri, një vend nga ku Haziri mund të niset përsëri, përveç Gjilanit, vështirë se mund ta gjejë një tjetër.
“Absolutisht do të fitoj pa balotazh”.
Në Gjilanin në të cilin thotë se e vetmja gjë e cila sot e nxit një prishtinas ose një pejan që ta vizitojë, është një restorant në një fshat të kësaj komune, i ngritur si biznes familjar.
“Ky pushtet i PDK’së e ka bërë qytetarin shërbëtor. Komuniteti i Gjilanit po detyrohet t’i shërbejë një grupi politik i cili po abuzon me resurset e Gjilanit dhe kjo nuk duhet të na lërë të qetë”.