Gjermania i takon Merkelit, thonë exit poll’et

Sipas përllogaritjeve CDU dhe CSU do të kenë në parlament 297 deputetë, SPD 184, E Majta 60 dhe ekologjistët 57.

Bota

22/09/2013 18:17

Gjermania zgjodhi sot parlamentin e ri. 61,8 milionë vetë ishin ftuar të përcaktonin me votën e tyre përbërjen e Bundestagut të ri, ndër ta tre milionë votues, që votonin për herë të parë.

Deutche Welle raporton se sipas prognozave të institutit për demoskopi “Infratest dimap”, CDU ka fituar 42% të votave, 8,2 % më tepër se në vitin 2009. SPD fitoi 26% të votave, pra 2-3% vota më tepër se në vitin 2009. Të Gjelbrit kanë humbur 2,7% të votave në krahasim me vitin 2009 dhe kanë fituar vetëm 8% të votave. Liberalët, FDP, kanë humbur rreth 10% në krahasim me vitin 2009 dhe me 4,7% të votave me sa duket nuk do të arrijnë të hyjnë në parlamentin e ri. Partia e Majta ka humbur 3,4% në krahasim me vitin 2009 dhe ka marrë 8,5% të votave. Kurse partia më e re, e cila kandidoi për herë të parë në këto zgjedhje Alternativa për Gjermaninë (AfD)duket se ka fituar 4,9% të votave.

Sipas këtyre përllogaritjeve CDU dhe CSU do të kenë në parlament 297 deputetë, SPD 184, E Majta 60 dhe Të Gjelbrit 57.

Në këtë mënyrë në Gjermani mund të ketë sërish një koalicion të madh mes CDU/CSU dhe SPD-së. Teorikisht është i mundur edhe një koalicion mes CDU/CSU dhe ekologjistëve. Nga ana tjetër në rast se SPD, bashkohet në koalicion me Të Majtën dhe ekologjistët, ajo ka gjithashtu një shumicë në parlament.

Pjesëmarrja në votime ishte me 73% më të lartë se në vitin 2009.