Rruga e përbashkët

Presidentja Atifete Jahjaga dhe Presidenti Bujar Nishani, në një takim që patën sot në Durrës, thanë se Shqipëria dhe Kosova kanë një rrugë të përbashkët të zhvillimit demokratik, ekonomik dhe në integrimet europiane.

Lajme

16/09/2013 21:41

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, është takuar sot në Durrës me Presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani, i cili ishte nikoqir i Samitit të 5’të të Presidentëve të vendeve të Rajonit të Europës Juglindore.

Jahjaga ka thënë se Kosova dhe Shqipëria po dëshmojnë se janë shembull i bashkëpunimit rajonal, duke shtuar se të dyja vendet duhet të ndihmojnë njëra-tjetrën në procesin gjithëpërfshirës.

“Duke folur për Samitin e Presidentëve të Rajonit të Europës Juglindore, që këtë vit mbahet në Durrës, Presidentja Jahjaga e përgëzoi Presidentin Nishani për organizimin e këtij takimi të rëndësishëm rajonal duke thënë se Presidentët e vendeve të rajonit kanë dëshmuar se janë nxitës të bashkëpunimit dhe të fqinjësisë së mirë ndërmjet vendeve pjesëmarrëse”, thuhet në një njoftim për media të Presidencës.

“Samiti i Presidentëve është një forum i rëndësishëm dhe udhëheqësit e katër vendeve pjesëmarrëse mund të ndikojnë në arritjen e marrëveshjeve ndërmjet shteteve që nxisin bashkëpunimin në fusha të ndryshme dhe në realizimin e projekteve të përbashkëta, që do të ndihmojnë në procesin e integrimeve europiane.”

Presidentja Jahjaga, siç njoftohet, ka theksuar se Samitit të Presidentëve duhet t’i bashkohen edhe Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

“Kjo do të ndihmonte në thellimin e bashkëpunimit rajonal që gjithashtu kontribuon edhe në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.”

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka përgëzuar Jahjagën dhe udhëheqjen e institucioneve të Kosovës për arritjen e marrëveshjeve me Serbinë. Sipas tij, kjo ndihmon në ruajtjen e stabilitetit dhe të paqes në rajon.

“Shqipëria dhe Kosova kanë një rrugë të përbashkët të zhvillimit demokratik, ekonomik dhe në integrimet europiane. Të dyja vendet kanë të ardhme të qartë europiane së bashku me të gjitha vendet e tjera të Europës Juglindore.”

“Republika e Shqipërisë përkrah anëtarësimin në BE të Kosovës, përmes përmbushjes së standardeve dhe të kritereve të përcaktuara.”

“Kosova e ka dhe në të ardhmen do ta ketë përkrahjen e plotë dhe të pa rezervë të shtetit shqiptar në të gjitha proceset.”

Samiti i 5-të i Presidentëve të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi sivjet po mbahet në Durrës.

Takimet e përvitshme jozyrtare të katër Presidenteve të vendeve të rajonit janë një nismë e ish-Presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi, që nisi rrugëtimin në Vlorë, më 23-24 qershor  të vitit 2009. Vijoi në Prizren, më 26-27 qershor 2010, kur President ishte Fatmir Sejdiu dhe vazhdoi në Ohër, më 11-12 korrik të vitit 2011.

Takimi i fundit u mbajt në Budvë, më 4-5 dhjetor të vitit 2012.

Në njoftimin e Presidencës së Shqipërisë, nikoqire e këtij takimi, thuhet se, ndër të tjera, synimi i këtyre takimeve është gjetja dhe shfrytëzimi i mëtejshëm i fushave me interes të përbashkët që çojnë drejt forcimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe nxitjes së bashkëpunimit rajonal midis vendeve.