E do një Kosovë tjetër

Isa Mustafa kritikon shumëçka në qeverisjen e Kosovës, përveç Prishtinës. Thotë se sivjet është koha për ndryshim. Në një takim me rininë e partisë, e kërkoi këtë pakt. Është i bindur se LDK ka fuqi ta ndërrojë gjendjen.

Lajme

15/09/2013 14:01

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, deklaroi të dielën se kjo parti ka fuqinë për t’i fituar zgjedhjet e 3 nëntorit dhe për të bërë ndryshime në shumë komuna të Kosovës, të cilat, sipas tij, deri tash janë qeverisur keq.

Në Konventën Punuese të Forumit të Rinisë të kësaj partie, Isa Mustafa u shpreh se Kosova ka nevojë për një qeverisje, e cila ka dije dhe ide.

“Ne nuk dëshirojmë një Kosovë të zhytur në korrupsion dhe të izoluar. Ne nuk e dëshirojmë një Kosovë me punësim politik, me nepotizëm, me mungesë të kompetencës dhe jo profesionalizëm”.

“Ne nuk e dëshirojmë një Kosovë me qeverisje arbitrare dhe në mungesë të jetës parlamentare”.

“Ne nuk e dëshirojmë një Kosovë, në të cilën, çdo ditë, të rinjve u premtohen shkolla e universitete, por nuk u premtohet dije dhe kushte me të mira të mësimit dhe studimit. Prandaj, Kosova ka nevojë ta luftojë korrupsionin, ka nevojë të integrohen në BE”.

Mustafa është shprehur, ndër të tjera, në fjalimin e tij para rinisë së kësaj partie, se LDK ka fuqi që të fitojë dhe t’i sjellë këto ndryshime.

“Kosova ka nevojë për një sjellje qeverisje, e cila do të jetë e përgjegjshme. Prandaj, Kosova ka nevojë për ndryshime dhe këto ndryshime konsideroj se mund t’i bëni më së mirë ju të rinjtë”.

“Unë konsideroj se sivjet është koha për ndryshime. Por, edhe sivjet është koha për progres. Të gjithë së bashku këtu jemi që të arrijmë një pakt, për ndryshime dhe progres, të cilin duhet ta fillojmë me këto zgjedhje”.

“Ne kemi fuqi të fitojmë dhe të bëjmë ndryshime në shumicën e komunave të Kosovës, të cilat janë qeverisur keq dhe të cilat meritojnë të qeverisen shumë më mirë sesa që janë qeverisur deri me tani. Ne kemi dije, po ashtu, që të bëjmë progres dhe në komunat që ne i kemi qeverisur si LDK, duke përfshirë dhe Prishtinën, në mënyrë që jeta e qytetarëve, të avancohet dhe progresi ekonomik të shkojë përpara”.