Opozita kundër vendeve të rezervuara

Vendet e rezervuara për komunitetin serb s’po gjejnë mirëkuptimin e partive opozitare, të cilat janë shprehur kategorikisht kundër vazhdimit të mandateve të rezervuara në Kuvendin e Kosovës për këtë pakicë. PDK, ndërkaq, s’e ka ende një qëndrim të finalizuar.

Lajme

16/12/2013 12:45

Partitë opozitare janë shprehur kategorikisht kundër mundësisë së vazhdimit të vendeve të rezervuara në Kuvendin e Kosovës për pakicën serbe.

Në vijë me qëndrimin e opozitës është shprehur edhe Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, sipas të cilit, vazhdimi i rezervimit të vendeve nuk është i shëndetshëm për demokracinë.

“Për demokracinë nuk është e shëndetshme që Kuvendi i Kosovës të ketë shumë numra që nuk janë vullnet i qytetarëve”.

“Kështu siç ka qenë deri tani, mund të them se Kosova ka bërë një hap më pozitiv se secili vend tjetër”.

“Mendoj se nuk do të duhej të shkohet përtej kësaj”.

Jakup Krasniqi, Kryetar i Kuvendit. Foto: Petrit Rrahmani, lajmi.net

Një qëndrim të fortë kundër vazhdimit të vendeve të rezervuara për komunitetin serb kanë shfaqur Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK’së, Ismet Beqiri, ka thënë se kjo parti nuk e përkrahë mundësinë e rezervimit të 10 vendeve për komunitetin serbë.

“LDK e ka thënë qartë: Ne nuk shohim asnjë arsye, asnjë nevojë, asnjë mundësi që 10 vende të rezervuara të jenë për komunitetin serbë”.

“Ne jemi që të respektohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës e cila e thotë qartë se ato dy mandate janë përmbushur”.

“Nuk ka nevojë dhe nuk është e ligjshme që të ketë ende kërkesa të tilla”.

“Nuk e shohim asnjë arsye që të kemi vazhdim të mandateve të rezervuara për komunitetin serb”.

Ismet Beqiri, Kryetar i GP të LDK’së. Foto: Petrit Rrahmani, lajmi.net

Edhe Lëvizja Vetëvendosje është shprehur kundër vendeve të rezervuara.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, deklaroi se rezervimi i vendeve shkelë parimin e barabarësisë mbi të cilin ndërtohet Republika.

“Qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje është kundër vazhdimit të vendeve të rezervuara, për të njëjtat arsye për të cilat ne kemi qenë edhe kundër sanksionimit të këtyre vendeve në Planin e Ahtisaarit, pastaj të përfshirë edhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.

“Ne konsiderojmë se çfarëdo vendi i rezervuar apo i garantuar për një grup të qytetarëve të Kosovës është shkelje e parimit të Republikës dhe shkelje e parimit të demokracisë, shkelje e parimit të barazisë mbi ë të cilin ndërtohet Republika”.

Adem Grabovci, Kryetar i GP të PDK’së. Foto: Petrit Rrahmani, lajmi.net

Por, një qëndrim të qartë për këtë çështje nuk e ka të formësuar ende Partia Demokratike e Kosovës.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK’së, Adem Grabovci, ka thënë se kjo çështje kërkon një konsensus të të gjitha forcave politike.

Sipas tij, në çdo rast PDK do ta mbrojë interesin e qytetarëve dhe shtetit të Kosovës.

“Qëndrimi i PDK’së është që respektohen Ligjet e Kosovës”.

“Çdo vendim dhe marrëveshje e cili ishte dhe është në përputhje me Ligjet e Kosovës, me interesat e qytetarëve të vendit PDK dhe Grupi Parlamentar i saj e ka përkrahur në të kaluarën dhe do t’i përkrahen edhe në të ardhmen”.

“Ne asnjëherë nuk do të lejojmë që të cenohen interesat e qytetarëve dhe shtetit të Kosovës”.

“Interesin e shtetit dhe qytetarëve jemi të gatshëm ta mbrojmë me çdo kusht dhe me çdo çmim”.

“Kjo është çështje që kërkon konsensus dhe nëse liderët e partive politike pajtohen ne e përkrahim çdo vendim që e sjellin ata”.

Ndryshe sipas Kushtetutës së Kosovës, Nenit 64 të saj, Kuvendi i Kosovës ka njëqind e njëzet (120) deputetë të zgjedhur me votim të fshehtë bazuar në listat e hapura.

Sipas Kushtetutës, vendet në Kuvend ndahen midis të gjitha partive, koalicioneve, nismave qytetare dhe kandidatëve të pavarur, në përpjesëtim me numrin e votave të vlefshme, të fituara prej tyre, në zgjedhjet për Kuvendin.

“Në kuadër të kësaj ndarjeje, njëzet (20) prej njëqind e njëzet (120) vendeve janë të garantuara  për përfaqësimin e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovës, si vijon: (1) partitë, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, të cilët janë deklaruar se përfaqësojnë komunitetin Serb, do të kenë numrin e vendeve në Kuvend të fituar në zgjedhjet e hapura, me minimumin dhjetë (10) vende të garantuara, në rast se numri i vendeve të fituara është më i vogël se dhjetë (10)”, thuhet në Kushtetutën e Kosovës, e cila më poshtë po ashtu saktëson:

“Partitë, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, të cilët janë deklaruar se përfaqësojnë komunitetet e tjera, në Kuvend do të kenë numrin e vendeve të  fituara në zgjedhjet e hapura me minimumin e vendeve të garantuara si në vijim:  komuniteti Rom një (1) vend; komuniteti Ashkali një (1) vend; komuniteti Egjiptian  një (1) vend; dhe një (1) vend shtesë do t’i jepet komunitetit Rom, Ashkali, ose  Egjiptian, që ka numrin më të madh të votave të përgjithshme; komuniteti Boshnjak  tri (3) vende, komuniteti Turk dy (2) vende dhe komuniteti Goran një (1) vend, nëse  numri i vendeve të fituara nga secili komunitet është më i vogël se numri i vendeve të  garantuara”.

Por këto vende të rezervuara të garantuar me Pakon e Ahtisaarin mbi bazën e të cilës Kosova shpalli pavarësinë në shkurt të vitit 2008 janë paraparë vetëm për dy mandate pas krijimit të shtetit të Kosovës, që do të thotë se zotimi është përmbushur.

Por tani, pakica serbe po kërkon që edhe për dy mandate t’i kenë vendet e rezervuara, gjë që nuk ka gjetur përkrahjen e opozitës, e për të cilin, sigurisht se në fund, do të vendoset bashkërisht me bashkësinë ndërkombëtare.