Transferi i Aleancës për Lipjanin

Ramush Haradinaj ka bërë një “transfer politik” në Lipjan. I sapolarguari nga PDK, Fitim Selimi, ka marrë besimin e AAK’së për kandidat për Kryetar të Lipjanit në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit. Selimi ka humbur garën e brendshme në PDK në kandidaturën për kryetar komune dhe tani ka vendosur që t’i dalë përballë Bujës për…

Lajme

11/09/2013 14:39

Ramush Haradinaj ka bërë një “transfer politik” në Lipjan. I sapolarguari nga PDK, Fitim Selimi, ka marrë besimin e AAK’së për kandidat për Kryetar të Lipjanit në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

Selimi ka humbur garën e brendshme në PDK në kandidaturën për kryetar komune dhe tani ka vendosur që t’i dalë përballë Bujës për t’u matur me votat e qytetarëve.

Kryetari i AAK’së Haradinaj i ka thurur lavde mjekut Fitim Selimi si për kontributin e tij profesional ashtu edhe atë politik.

“Ky kandidim për Lipjanin është burimor, buron nga Lipjani, është prej kolegëve të Aleancës, kolegëve siç është Fitim Selimi i Iniciativës Qytetare për Lipjanin. Është po ashtu në pajtueshmëri më atë që ne jemi si koalicion me LDD”.

Selimi tha se devalvimi në PDK ka qenë arsye pse ai është larguar nga partia, degën e së cilës e drejtonte deri para një jave.

“Unë kam dalë fitues në zgjedhjet brenda partisë dhe kam shumë pasues. Qytetarët kanë dashuri për ne, kanë respekt të madh për ne dhe presin shumë nga ne.”

“Në momentin kur teknikisht na pamundësohet të plasojmë vizionin tonë para qytetarëve tanë, atëherë që natyrisht duhet të kërkojmë partnerët me të cilët do të ecim përpara”.

Selimi është larguar nga PDK bashkë me 19 anëtarë tjerë të kryesisë së degës së Lipjanit.

AAK fillimisht e kishte kandiduar Islam Sllamnikun për Kryetar të Komunës së Lipjanit, por i ra pishman kësaj kandidature pas largimit të Selimit me shokë nga PDK.