Asociacioni që sfidon Shtetin
Azem Vllasi thotë se Serbia përmes Asociacionit të Komunave Serbe do të përzihet në punët e brendshme të Kosovës. Sipas tij, ky mekanizëm do të shërbejë si instrument për nxjerrjen e serbëve nga juridiksioni i Kosovës dhe për t’i lidhur ata me Serbinë.
Lajme
Votimet që përfunduan të dielën për pushtetin lokal në Kosovë vendosen themelet e strukturës që do të quhet “Asociacioni i Komunave Serbe”, një mekanizëm politik që do t’i lidhë mes vete 10 nga 30 Komunat e Kosovës.
Nga rezultatet paraprake del se Iniciativa Qytetare Serbe, pas së cilës qëndron Qeveria e Serbisë, ka fituar 9 nga 10 Komunat me shumicë serbe.
Pritet vetëm certifikimi i zgjedhjeve që të bëhet edhe zyrtarizimi i këtij Asociacioni.
Azem Vllasi, një njohës i mirë i politikës serbe, thotë për lajmi.net se ky Asociacion do të shërbejë si lidhje mes Komunave serbe dhe Qeverisë së Serbisë.
“Qeveria e Beogradit është angazhuar drejtpërsëdrejti që t’i bindë serbët e Kosovës të dalin në zgjedhjet lokale dhe të votojnë Listën Serbe, atë listën e preferuar të Qeverisë e Serbisë, e jo atë të vullnetit të lirshëm”.
“Këtë hap e kanë bërë për shkak të hapit të dytë. E hapi i dytë është të formojnë Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe”.
“Ato tashmë po i thërrasin si ‘Komuna Serbe’ dhe jo me shumicë serbe. Statusin e asaj Bashkësie janë duke e përgatitur në Beograd. Të gjithë konceptin e konstituimit të asaj Bashkësie, janë duke e bërë në Beograd. Praktikisht, serbët e Kosovës, tani jo vetëm ata në Veri por edhe në Komunat e tjera nëpër Kosovë, synojnë t’i kyçin në atë Bashkësi dhe t’i lidhin drejtpërsëdrejti me Qeverinë e Beogradit”.
“E Qeveria e Kosovës ndaj kësaj çështjeje po sillet sikur të ishte një çështje që ka të bëjë me një shtet tjetër dhe jo me shtetin e Kosovës”.
“Puna e Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe do të dalë dardhë me bisht”.
Komunat me shumicë serbe të fituara nga Lista Serbe kanë dhënë shenjat e para qysh tash se do të sfidojnë shtetin e Kosovës.
Menjëherë pas zgjedhjes në postin e Kryetarit të Mitrovicës Veriore, Kërstimir Pantic ka thënë se serbët nuk do ta pranojnë asnjëherë shtetin e Kosovës dhe nuk do të pranojnë as simbolet e saj në Komunat ku do të qeverisin kryetarët që kanë dalë nga Iniciativa Qytetare Serbe.
“Për zgjedhjet ekziston marrëveshja në Bruksel dhe janë shpallur si neutrale ndaj statusit”, thotë Pantic.
“Tashmë shqiptarët nuk do t’i kenë pengesë vetëm 4 Komunat në Veri të Kosovës, por edhe 5 Komuna tjera në Jug, të cilat po ashtu fuqishëm, ashtu siç është bërë gjatë 14 vjetëve të kaluara, do ta përfaqësojnë politikën e Qeverisë së Serbisë në këto hapësira”, ka deklaruar Pantic.
Kjo, sipas Azem Vllasit, dikur një funksionar i lartë në ish Jugosllavi, bëhet me një qëllim të caktuar që të injorohet sistemi kushtetues i Kosovës.
“Do të jetë një instrument për nxjerrjen e serbëve të Kosovës nga juridiksioni i Kosovës, një instrument për t’i lidhur drejtpërsëdrejti me Beogradin dhe instrument për përzierjen e drejtpërdrejtë të Beogradit në punët e brendshme të Kosovës. I gjithë koncepti është ky”.
Vllasi thotë se ky Asociacion nuk ka asnjë mundësi që në aspektin ligjor të pengojë Kosovën. Por, rreziku sipas tij është se ky mekanizëm do të dalë jashtë kornizave ligjore dhe kushtetuese, sepse këtë, sipas tij, po e mundëson sjellja e qeveritarëve të Kosovës.
“Do të thotë atyre nuk u intereson çka kanë të drejtë ligjore dhe kushtetuese apo jo. Beogradi dhe Qeveria atje, ju ka thënë që ata duhet të jenë të lidhur me Beogradin dhe ata do të veprojnë ashtu”.
“Një pjesë të Kosovës, e cila nuk është e vogël, por gati 18 % e saj dhe Komunat e vogla në Kosovën qendrore do t’i lidhin me atë Asociacion dhe do t’i nxjerrin prej juridiksionit të Kosovës”.
“Dhe pastaj serbët, si qytetarë normalë dhe të barabartë të Kosovës, Beogradi do t’i instrumentalizojë si mjet për destabilizimin e brendshëm të Kosovës dhe ndërkombëtar të Kosovës, për aq sa Beogradi mundet”, thotë Vllasi për lajmi.net