Nuk i zgjedhin komunat e Ahtisaarit
Albin Kurti nuk qet kandidatë në komunat me shumicë serbe dhe as në ato shqiptare si Juniku e Hani i Elezit. Ky është bojkoti ndaj Pakos së Ahtisaarit.
Lajme
Lëvizja Vetëvendosje vazhdon ta kundërshtojë çdo produkt të dalë nga Pakoja e Ahtisaarit, mbi bazën e të cilës Kosova shpalli pavarësinë, në shkurt të vitit 2008.
Kjo lëvizje e konsideron të dëmshme për shtetësinë e Kosovës këtë Pako dhe si rrjedhojë nuk do të dalë me kandidatët e saj në komunat që janë formuar mbi bazën e propozimit gjithëpërfshirës të Martti Ahtisaarit.
Lëvizja e Albin Kurtit, krahas komunave me shumicë serbe të krijuara si rezultat i kësaj Pakoje, nuk do të kandidojë as në dy komunat e formuara sipas propozimit të Ahtisaarit, por që janë me shumicë shqitpare si Juniku dhe Hani i Elezit.
Në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit nuk do të marrë pjesë as Partia Demokratike e Serbisë (DSS) e ish kryeministrit Vojisllav Koshtunica me arsyetimin se këto zgjedhje janë anti-kushtetuese dhe anti-shtetërore, si dhe shuajnë institucionet shtetërore të Serbisë në Kosovë.
Partitë që duan të marrin pjesë në një komunë duhet të paguajnë 200 euro për certifikim, ndërsa ato që duan të marrin pjesë në të gjitha komunat duhet të paguajnë 2 mijë euro.
Pjesë e zgjedhjeve është thënë se nuk mund të jenë ata që kanë pasur ndonjë gjobë të çfarë do lloji më parë dhe nuk e kanë paguar atë.
(Kosovapress, Lajmi.net)