Pak më shpejt, PZAP

Sipas Vjosa Osmanit, PZAP duhet të ngutet që t’i shqyrtojë ankesat e LDK’së ndaj premtimeve milionëshe të Kryeministrit Thaçi.

Lajme

23/10/2013 13:49

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kritikuar ngathtësinë e Panelit Zgjedhor për Parashtresa dhe Ankesa (PZAP) në ankesën që i ka dërguar këtij paneli për ta shqyrtuar ligjshmërinë e premtimeve milionëshe nëpër komuna të ndryshme të Kryeministrit Hashim Thaçi gjatë fushatës zgjedhore.

Shefja e Shtabit Zgjedhor të LDK’së, Vjosa Osmani ka thënë sot se Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi po vazhdon “të shkelë ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës duke abuzuar me pushtetin dhe zyrën publike që ai mban”.

“Ky është shembulli më i keq i mosrespektimit të rregullave zgjedhore dhe kodeve të mirësjelljes”, ka thënë Osmani.

Ajo është ankuar edhe në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për vonesë në ankesat e parashtruara nga kjo parti ndaj premtimeve të kryeministrit.

“Deri tani PZAP nuk ka kthyer përgjigje në këtë ankesë, dhe ne në ndërkohë kemi dorëzuar edhe ankesën e dytë kundër Thaçit që mbështetet në bazën e njëjtë juridike, për premtimet e fundit që i bëri edhe në disa qytete të tjera”.

“Përderisa PZAP ka praktikuar përgjigjen në ankesat e tjera brenda 24 orësh, për këtë rast ka vonesa. LDK konsideron se një vonesë e tillë, tani në kohë fushate, i jep hapësirë Thaçit që të vazhdojë me shkelje dhe me abuzim të zyrës publike. Prandaj vendimi i PZAP pas përfundimit të fushatës nuk do të kishte ndonjë efekt të madh” , ka thënë Vjosa Osmani në një konferencë për shtyp.

Sipas saj, sado që Kushtetuta e Republikës së Kosovës garanton fshehtësinë e votës, Kryeministri Thaçi po e shkelë këtë dispozitë.

“Kryeministri Thaçi po e shkelë këtë garancion kushtetues të qytetarëve duke u bërë atyre presion psikologjik, në prezencë të truprojet e tij të armatosur, kur i detyron qytetarët që të tregojnë edhe në prani të mediave se për kë do të votojnë. Pra, i detyron ta bëjnë votën publike, duke u bërë atyre presion politik, mediatik, dhe publik”, ka thënë Osmani.