Prishtinë pa korrupsion
Behxhet Pacolli u thotë banorëve të Matiqanit që ta zgjedhin një qeveri të re komunale, në të cilën s'ka njerëz të korruptuar. Ndërsa Korab Sejdiu do ta çojë në shtëpi qeverinë aktuale të Prishtinës.
Lajme
Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behxhet Pacolli, dhe Kandidati për Kryetar të Prishtinës, Korab Sejdiu, kanë vizituar lagjen e Matiqanit, të martën, në kuadër të fushatës elektorale.
Pacolli ka kërkuar nga qytetarët ta votojnë partinë e tij, ngase, sipas tij, “janë modernë.”
Pacolli u foli banorëve për problemet dhe brengat e qytetarëve dhe u sugjeroi atyre që ta zgjedhin një qeveri të re komunale “që nuk ka ministra nën hetime dhe që kryetari duhet të jetë kryeshërbëtori i qytetarëve”.
“Ne se bashku me ju do të punojmë për një Prishtinë funksionale. Kaosi që ka kapluar Prishtinën duhet që të ndryshojë dhe sot ju them të gjithëve që të dilni në zgjedhje me 3 nëntor dhe të votoni për AKR’në, sepse jemi parti moderne, nuk jemi parti e korruptuar, nuk kemi ministra nën hetime”, ka thënë Pacolli.
Për Korab Sejdiun qeverisja aktuale në Prishtinë ka dështuar në të gjitha aspektet dhe më 3 nëntor do që kjo qeveri të shkojë në shtëpi.
“Kjo qeveri duhet të shkojë në shtëpi, pasi që ka dështuar në të gjitha aspektet. Kemi mungesë të ujit në shumë lagje, kemi rrugë ende të parregulluara, nuk kemi çerdhe në çdo lagje dhe kjo është përgjegjësi e Komunës e cila nuk ka punuar asgjë për ju”, ka thënë Sejdiu.
Para qytetarëve ka folur edhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismaili i cili ka folur për problemet ekonomike që e rëndojnë vendin dhe ju ka premtuar bashkëpunim të gjithë qytetarëve.