Përmbysje legjendare e papunësisë
Nënkryetarët kanë premtuar më pak, por kur flet Kryetari, tjerët heshtin. Legjendari i Partisë së Fortë premton 62 mijë vende pune në Prishtinë.
Lajme
Fizikisht nuk mund të jetë gjikah ku e kërkojnë qytetarët prandaj Visar Arifaj ka zgjedhur një mënyrë të veçantë për të qenë në vëmendjen e tyre.
Partia e tij i ka përgatitur gjashtë dublerë dydimensionalë të madhësisë së “lexhendarit”, të cilat i ka vendosur në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
Ka bërë goxha premtim sot ai kur ka thënë se partia e tij do t’i krijojë 62 mijë vende të punës në Prishtinë, prandaj dëshiron që qytetarët, saherë ta shohin atë, t’u kujtohet premtimi i dhënë.
“I kemi vendosur këta dublerë për t’ua kujtuar vazhdimisht qytetarëve që jemi pranë tyre. Për t’ua kujtuar atyre premtimet tona”, tha Kryetari Lexhendar duke iu referuar nënkryetarit Petrit Recica i cili ditë më parë kishte premtuar 12 mijë vende të reja puna në Departamentin për Investime Kapitale Parazgjedhore.
“Ne kemi premtuar 12 mijë vende pune në administratën komunale. Nga një kandidat i një partie tjetër së fundi janë premtuar 20 mijë vende pune. Andaj ne sot po u themi të gjithëve, që Partia e Fortë do të hapë 62 mijë vende pune vetëm në Prishtinë,” ka thënë ai me siguri të plotë para gjithë të pranishmëve derisa po e prezantonte dublerin e tij në sheshin Zahir Pajaziti.
“Këta dublerë nuk kanë nevojë të flasin pasi që komunikuesi më i mirë është ai që dëgjon,” ka vazhduar ai më tutje.
“Për shkak të angazhimeve të shumëta dhe obligimeve partiake unë nuk kam mundësi që të jem gjithmonë në kontakt direkt me qytetarët, edhe pse për ta mendoj 25 orë në ditë. Kjo besoj që është e pranueshme për të gjithë pasi që edhe ashtu, këta dublerë, së paku për kah veprat nuk dallojnë shumë nga politikanët e zakonshëm,” ka thënë në fund kryetari Arifaj.
Në fund, pyetjen e gazetarëve se ku do të punësohen 62 mijë qytetarët të cilëve u është premtuar një vend i punës nga kryetari, Arifaj ka thënë që Partia e Fortë nuk do të krijojë vende pune, por do të punësojë qytetarë që marrin rrogë pa pasur nevojë të shkojnë në punë.