Deda pas tërheqjes së Sejdiut: Kosova humbi një mundësi për një model tjetër të udhëheqjes

Analisti Ilir Deda ka reaguar pas tërheqjes së Bekim Sejdiut nga kandidatura për President të Kosovës, duke thënë se me këtë vendim vendi ka humbur një mundësi për të pasur një model tjetër të udhëheqjes. Përmes një postimi në Facebook, Deda ka vlerësuar se Sejdiu përfaqësonte një qasje ku shteti vendoset mbi interesat partiake dhe…

Lajme

14/09/2026 19:46

Analisti Ilir Deda ka reaguar pas tërheqjes së Bekim Sejdiut nga kandidatura për President të Kosovës, duke thënë se me këtë vendim vendi ka humbur një mundësi për të pasur një model tjetër të udhëheqjes.

Përmes një postimi në Facebook, Deda ka vlerësuar se Sejdiu përfaqësonte një qasje ku shteti vendoset mbi interesat partiake dhe përgjegjësia publike mbi ambicien personale.

“Me tërheqjen e Bekim Sejdiut, Kosova e humbi një mundësi për ta pasur në krye të shtetit një model tjetër të udhëheqjes – një njeri që e vendos shtetin para partisë, Kushtetutën mbi çdo interes ditor e kalkulim partiak, dhe përgjegjësinë publike mbi ambicien personale”, ka shkruar Deda.

Sipas tij, paradoksalisht, mbrojtja e Kushtetutës i ka kushtuar politikisht kandidaturës së Sejdiut.

“Paradoksalisht, mbrojtja e Kushtetutës kishte kosto politike për kandidaturën e Bekimit”, ka deklaruar ai.

Deda ka thënë se Kosova ka humbur mundësinë për të dëshmuar se di t’i vlerësojë njerëzit që nuk e vendosin veten në plan të parë.

Në fund, ai ka ngritur pyetjen nëse pas zhvillimeve të fundit ekziston një rrugëdalje nga polarizimi, mosbesimi dhe përçarja politike.

“Te kqyrim tash a ka rrugë përtej polarizimit, mosbesimit dhe urrejtjes të përhapur mes nesh”, ka përfunduar Deda. /Lajmi.net/