Abdixhiku thellon përçarjen në parti, i sulet ashpër gjashtë deputetëve: Për çfarë po rrahin gjoks, u refuzua votimi i kandidatit të LDK-së
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka bërë një postim plotë mllef ndaj gjashtë deputetëve që dolën kundër marrëveshjes së tij me kryetarin e VV-së, Albin Kurti, për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president. Abdixhiku i nervozuar, ka sulmuar ashpër gjashtë deputetët, duke i akuzuar se e dërguan vendin në zgjedhej të reja, transmeton lajmi.net. “Prandaj,…
Lajme
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka bërë një postim plotë mllef ndaj gjashtë deputetëve që dolën kundër marrëveshjes së tij me kryetarin e VV-së, Albin Kurti, për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president.
Abdixhiku i nervozuar, ka sulmuar ashpër gjashtë deputetët, duke i akuzuar se e dërguan vendin në zgjedhej të reja, transmeton lajmi.net.
“Prandaj, për çfarë po rrahin gjoks? Çfarë paskan shpëtuar? Dje u refuzua zgjidhja e Presidentit të Kosovës. U refuzua votimi i kandidatit të propozuar nga LDK-ja dhe, me këtë refuzim, u përcaktua edhe fati i vendit, zgjedhje të reja. Dëm mund të bëjë çdo kush. Për këtë, ja dora!”, tha Abdixhiku ndër të tjera në postimin e tij.
Postimi i plotë:
Mirëmëngjesi, Kosovë!
Dje nuk u refuzua asnjë marrëveshje qeverisëse me VV-në, sepse një marrëveshje e tillë nuk ekzistonte. LDK-ja kishte vendosur të qëndronte në OPOZITË. Të gjithë deputetët tanë ishin pajtuar me këte pozicion.
Prandaj, për çfarë po rrahin gjoks?
Çfarë paskan shpëtuar?
Dje u refuzua zgjidhja e Presidentit të Kosovës. U refuzua votimi i kandidatit të propozuar nga LDK-ja dhe, me këtë refuzim, u përcaktua edhe fati i vendit, zgjedhje të reja.
Dëm mund të bëjë çdo kush.
Për këtë, ja dora!
Por siç ju kam thënë në vitin 2020, kur u verbuat dhe sollët LDK-në në 12%; po ju them dhe tani, ky veprim është dëm vetëm ndaj LDK-së. Se si nuk e shihni këtë, se si nuk ndjeni këtë fat, se si ndiheni të përmbushur nga lëvdatat e atyre që gjithë jetën janë anti-LDK, këtë nuk e kuptoj!
Zgjedhjet e reja nuk kanë qenë agjendë e LDK-së. Nuk kanë qenë as kërkesë dhe as vendim i anëtarësisë sonë. Por tash e sa muaj, ato kanë qenë agjendë e qartë e grupeve të tjera politike, të cilat, siç duket, tashmë po ndikojnë edhe në rrjedhat tona me sukses.
Për këtë ndiej vetëm keqardhje!
Por jo dorëzim. Jemi shumë. Jemi në të drejtë. E kemi detyrim. Republika megjithate do të triumfojë!/lajmi.net/