​Islami: Vetëdijesimi dhe raportimi janë mbrojtja më e mirë ndaj spiunazhit

Eksperti i sigurisë, Avni Islami, ka bërë thirrje për rritje të vigjilencës ndaj veprimtarisë së spiunazhit, duke thënë se vetëdijesimi dhe bashkëpunimi me institucionet janë ndër mënyrat më të rëndësishme për mbrojtjen e sigurisë kombëtare. Islami ka shkruar në Facebook se ndarja e informatave me institucionet shtetërore mund të ndihmojë në parandalimin dhe zbulimin e…

Lajme

01/09/2026 13:03

Eksperti i sigurisë, Avni Islami, ka bërë thirrje për rritje të vigjilencës ndaj veprimtarisë së spiunazhit, duke thënë se vetëdijesimi dhe bashkëpunimi me institucionet janë ndër mënyrat më të rëndësishme për mbrojtjen e sigurisë kombëtare.

Islami ka shkruar në Facebook se ndarja e informatave me institucionet shtetërore mund të ndihmojë në parandalimin dhe zbulimin e veprimtarive të dyshimta.

“Ndarja e informacionit me institucionet e shtetit dhe vetëdijesimi ynë sot është mbrojtja më e mirë e vendit nga spiunazhi”, ka shkruar Islami.

Sipas tij, spiunazhi nuk është fenomen i ri dhe nuk ka lindur me OZNA-n apo UDB-në serbe. Ai ka theksuar se populli i Kosovës është përballur veçanërisht me presione dhe shantazhe të shërbimeve sekrete gjatë pesëdhjetë vjetëve të fundit.

“Ky shërbim sekret serb la gjurmë të thella edhe pas përfundimit të luftës dhe pas ndërtimit të shtetit tonë modern”, ka deklaruar ai.

Duke iu referuar arrestimeve dhe dënimeve për spiunazh gjatë dy vjetëve të fundit, Islami ka thënë se këto raste tregojnë se institucionet e Kosovës po veprojnë kundër personave të dyshuar për aktivitete që cenojnë interesat kombëtare.

Në të njëjtën kohë, ai ka paralajmëruar se veprimtaria e spiunazhit paraqet rrezik serioz për sigurinë kombëtare, ndërsa individët mund të përfshihen në aktivitete të tilla edhe pa qenë fillimisht të vetëdijshëm për rolin e tyre.

“Shtetet jo mike janë të interesuara të gjejnë bashkëpunëtorë në çdo fushë: në ekonomi, shëndetësi, kulturë, art, në gazetari etj. Një informator ose agjent mund të bëhet pjesë e lojës pa qenë fare i vetëdijshëm se po punon kundër vendit të tij”, ka shkruar Islami.

Sipas tij, synimi i veprimtarive të tilla është edhe krijimi i narrativave se Kosova nuk është shtet normal për të jetuar, si dhe nxitja e pakënaqësisë dhe mosbesimit ndaj institucioneve shtetërore.

Islami u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes ndaj personave që tentojnë të sigurojnë informacione ose që shfaqin interesim të dyshimtë për vende me rëndësi strategjike.

“Nëse vëreni diçka të dyshimtë nga persona të caktuar që tentojnë të marrin informacione nga ju, apo që ju orientojnë drejt vendeve me rëndësi vitale e strategjike për Kosovën, mos hezitoni dhe lajmëroni menjëherë autoritetet”, ka apeluar ai.

Eksperti i sigurisë ka vlerësuar se raportimi i rasteve të dyshimta ua lehtëson punën institucioneve të sigurisë në identifikimin dhe neutralizimin e veprimtarive të agjenturave të huaja.

“Duke raportuar, ju i ndihmoni vendit dhe ua lehtësoni punën institucioneve tona të sigurisë për të neutralizuar agjenturat e huaja”, ka përfunduar Islami.

Reagimi i Islamit vjen pak ditë pasi Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit për veprat penale “Spiunazh” dhe “Shantazh”.

Sipas aktakuzës, Sheholli dyshohet se, nga një datë e papërcaktuar deri më 9 tetor 2025, ka vepruar si person i rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë – BIA, duke zbatuar urdhra dhe detyra të zyrtarëve të këtij shërbimi.

Prokuroria theksoi se ai ka mbledhur dhe përcjellë informacione e dokumente që lidhen me aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës.

Në aktakuzë pretendohet gjithashtu se Sheholli ka zbatuar një plan operativ që synonte ndërhyrjen në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025. Sipas Prokurorisë, ai kishte marrë materiale për komprometimin e disa zyrtarëve dhe 5 mijë euro për kryerjen e kësaj detyre.

Sheholli akuzohet edhe për shantazh. Prokuroria pretendon se nga viti 2022 deri në dhjetor 2025 ka shantazhuar një person, duke e detyruar të veprojë në dëm të pasurisë së tij në një shumë që tejkalon 13 mijë euro.

Rasti tashmë i ka kaluar për shqyrtim Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa Sheholli ndodhet në paraburgim.