Hoxha: Kriminelët ia morën jetën Triumf Rizës, por nuk mundën t’ia shuajnë emrin dhe kujtimin
Në 19-vjetorin e rënies në krye të detyrës të Heroit të Policisë së Kosovës, Triumf Riza, është zbuluar lapidari përkujtimor në vendin ku ai u vra më 30 gusht 2007. Në ceremoninë përkujtimore morën pjesë drejtues të institucioneve dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, ndërsa në këtë ditë të veçantë për familjen Riza, drejtori i…
Lajme
Në 19-vjetorin e rënies në krye të detyrës të Heroit të Policisë së Kosovës, Triumf Riza, është zbuluar lapidari përkujtimor në vendin ku ai u vra më 30 gusht 2007.
Në ceremoninë përkujtimore morën pjesë drejtues të institucioneve dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, ndërsa në këtë ditë të veçantë për familjen Riza, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se lapidari do të jetë dëshmi e përhershme e sakrificës së Rizës.
Hoxha tha se Triumf Riza zgjodhi t’i shërbejë vendit dhe qytetarëve me krenari, përgjegjësi dhe dinjitet, duke theksuar se, edhe pse kriminelët ia morën jetën, nuk mundën t’ia shuajnë emrin dhe kujtimin.
“Sot jemi mbledhur në një ditë të veçantë, një ditë kujtimi, nderimi dhe respekti, për të përkujtuar 19-vjetorin e rënies së heroit Triumf Riza dhe për të zbuluar këtë lapidar që të mbetet një dëshmi e përhershme e sakrificës së jetës së tij. Triumf Riza ishte një pjesëtar i Policisë së Kosovës. Ai ishte një njeri që zgjodhi t’i shërbejë vendit dhe qytetarëve, duke bartur uniformën me krenari, përgjegjësi dhe me dinjitet. Më 30 gusht të vitit 2007, jeta e tij u ndërpre në mënyrë tragjike nga dora e kriminelëve. Ata mundën t’ia marrin jetën, por nuk mundën t’ia shuajnë emrin dhe as kujtimin që la pas”, tha Hoxha.
Drejtori i Policisë së Kosovës tha se përmes lapidarit nuk po shënohet vetëm një datë, por po nderohet jeta, emri dhe sakrifica e një pjesëtari të Policisë së Kosovës.
“Sot, 19 vjet më vonë, ne nuk jemi këtu vetëm për të kujtuar një datë, jemi këtu për të nderuar një jetë, një emër, një sakrificë që nuk duhet të harrohet kurrë. Ky lapidar që po zbulojmë sot nuk është vetëm gur themel dhe përmendore. Dhe ndoshta ky është kuptimi më i thjeshtë i kësaj dite: të kujtojmë njeriun përpara se të kujtojmë simbolin. Ky lapidar është kujtesë, është nderim, është dëshmi, është një amanet për brezat që do të vijnë”, u shpreh ai.
Hoxha theksoi se e konsideron detyrim institucional që emrat e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të rënë në krye të detyrës të jenë pjesë e kujtesës së përbashkët dhe jo vetëm të dokumenteve të institucionit.
“Nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, e konsideroj detyrim institucional që emrat e pjesëtarëve të Policisë të rënë të mos mbeten vetëm në dokumentet dhe arkivat tona të institucionit të Policisë. Ata duhet të jenë pjesë e kujtesës sonë të përbashkët. Sepse pas çdo numri, pas çdo fotografie dhe pas çdo emri në listë ka një jetë njerëzore. Dhe pas emrit të Triumf Rizës është një familje që prej 19 vitesh e ndjen mungesën e tij çdo ditë”, tha Hoxha.
Ai iu drejtua edhe familjes Riza, duke thënë se asnjë fjalim nuk mund ta kthejë njeriun që mungon, por se Triumfi tashmë është pjesë e historisë së Policisë së Kosovës.
“Prandaj sot dua t’i drejtohem me ndershmëri familjes Riza: e dimë se asnjë fjalim nuk mund t’ju kthejë njeriun që mungon. E dimë gjithashtu se koha nuk e fshin dot dëshpërimin dhe dhimbjen. Por dua t’ju them se Triumfi nuk është vetëm kujtimi juaj familjar, ai është edhe pjesë e historisë së Policisë së Kosovës dhe ky është një dallim i rëndësishëm. Familja e mban kujtimin në jetën e përditshme, institucioni e mban përgjegjësinë që ai kujtim të mos fshihet asnjëherë nga historia”, deklaroi ai.
Sipas Hoxhës, emri i Triumf Rizës do të vazhdojë të jetë i pranishëm për pjesëtarët e Policisë së Kosovës, qytetarët dhe brezat e rinj, të cilët përmes lapidarit do të mësojnë për sakrificën e tij.
“Emri i Triumf Rizës do të jetë këtu, do ta shohin pjesëtarët e Policisë së Kosovës, qytetarët dhe brezat që do të vijnë pas. Ndoshta shumë prej tyre nuk do ta kenë njohur Triumfin, por do ta lexojnë emrin e tij dhe do ta dinë se këtu ka qenë një pjesëtar i Policisë së Kosovës që u vra nga grupet kriminale. Kjo është mënyra më e drejtë për ta kujtuar atë. Andaj në emër të Policisë së Kosovës dhe në emrin tim personal shpreh nderimin më të thellë për Triumfin, respektin për familjen. Le të jetë ky lapidar një vend ku brezat e rinj do të mësojnë të respektojnë sakrificën, guximin dhe përkushtimin ndaj vendit dhe qytetarëve. Do doja të ndaja një histori personale që unë kam pasur me Triumfin”, shtoi Hoxha