Nxënësja gjen kuletën me para dhe dokumente në Prizren, e dorëzon në polici
Një nxënëse nga Prizreni ka treguar shembull të ndershmërisë dhe përgjegjësisë qytetare, pasi ka gjetur një kuletë me para dhe dokumente personale dhe e ka dorëzuar në polici. Policia e Kosovës njoftoi se rasti ka ndodhur më 25 gusht 2026, rreth orës 20:45, kur në Stacionin Policor të Trafikut në Prizren është dorëzuar një kuletë…
Lajme
Një nxënëse nga Prizreni ka treguar shembull të ndershmërisë dhe përgjegjësisë qytetare, pasi ka gjetur një kuletë me para dhe dokumente personale dhe e ka dorëzuar në polici.
Policia e Kosovës njoftoi se rasti ka ndodhur më 25 gusht 2026, rreth orës 20:45, kur në Stacionin Policor të Trafikut në Prizren është dorëzuar një kuletë e humbur.
Kuleta ishte gjetur në rrugën “Ekrem Rexha” nga nxënësja O.T., e lindur në vitin 2011, e cila, së bashku me prindin e saj, e kishte dërguar menjëherë në stacionin policor, transmeton Zeri.info.
Në kuletë kishte të holla dhe dokumente personale. Përmes dokumenteve identifikuese, policia arriti të kontaktonte pronarin, i cili u paraqit në stacion dhe e mori kuletën.
Pronari falënderoi nxënësen për aktin e saj të ndershëm, si dhe Policinë e Kosovës për angazhimin në gjetjen dhe kthimin e sendeve të humbura.
Policia e ka cilësuar rastin si shembull të përgjegjësisë qytetare dhe bashkëpunimit të mirë mes qytetarëve dhe institucioneve, duke theksuar se ndershmëria dhe solidariteti kontribuojnë në forcimin e besimit dhe sigurisë në komunitet.