Kthesa e Ramës: Nga “manipulimi” te “Besa”
Një protestë që vetëm dy muaj më parë Edi Rama e quante produkt të “manipulimit” dhe “dezinformimit”, sot është shndërruar në pikën e nisjes së një modeli të ri të qeverisjes. Kryeministri i Shqipërisë prezantoi dokumentin “Besa”, të cilin e përshkruan si metodën që do të udhëheqë mandatin e tij të katërt. Sipas tij, nisma…
Lajme
Një protestë që vetëm dy muaj më parë Edi Rama e quante produkt të “manipulimit” dhe “dezinformimit”, sot është shndërruar në pikën e nisjes së një modeli të ri të qeverisjes.
Kryeministri i Shqipërisë prezantoi dokumentin “Besa”, të cilin e përshkruan si metodën që do të udhëheqë mandatin e tij të katërt.
Sipas tij, nisma lindi pasi “Revolucioni i Flamingove” e detyroi Qeverinë të përballej me një problem që nuk e kishte pranuar më herët: hendekun mes mënyrës se si qeveris dhe mënyrës se si qytetarët e përjetojnë atë.
Dokumenti, që ende nuk është bërë publik, parashikon mekanizma të rinj për konsultimin e qytetarëve, matjen e besimit ndaj institucioneve dhe një qasje më transparente në vendimmarrje.
Bashkë me të, Rama prezantoi edhe një dokument të dytë, që përcakton mënyrën se si Partia e tij Socialiste duhet ta mbështesë këtë qasje të re.
Ai i përshkroi këto nisma si një reformë të mënyrës së qeverisjes.
Por, kritikët pyesin nëse bëhet fjalë për një ndryshim real apo për një strategji të re të komunikimit politik.
Kontrasti me qëndrimin e tij të vetëm disa javëve më parë është i dukshëm.
Kur protestat shpërthyen në fund të majit kundër një projekti turistik në Zvërnec të Vlorës – ku përfshihet edhe një investim i lidhur me Jared Kushnerin, dhëndrin e presidentit amerikan, Donald Trump – Rama këmbëngulte se Qeveria kishte faktet në anën e saj dhe se pakënaqësia ushqehej nga “manipulimi” dhe “dezinformimi”.
Me kalimin e javëve, protestat u zgjeruan përtej kundërshtimit të projektit në Zvërnec dhe u shndërruan në një debat më të gjerë për transparencën, mënyrën e vendimmarrjes dhe marrëdhënien mes qytetarëve dhe institucioneve.
Sot, Rama e përshkruan të njëjtën lëvizje si një “pasqyrë” që i tregoi Qeverisë se zhvillimi ekonomik nuk mjafton nëse qytetarët nuk ndihen pjesë e procesit.
Sipas tij, “pasqyra e bulevardit të flamingove” ngriti dy pyetje themelore: ku po shkon Shqipëria me ritmin aktual të zhvillimit dhe ku është qytetari në këtë rrugëtim?
Për pyetjen e parë, përgjigjja mbetet integrimi në Bashkimin Evropian. Për të dytën, sipas Ramës, përgjigjja është “Besa” – një model që synon ta vendosë qytetarin në qendër të vendimmarrjes, jo vetëm si përfitues të politikave publike, por edhe si pjesëmarrës në hartimin e tyre.
Çfarë është “Besa”?
Edhe pse Rama e prezantoi “Besën” si kthesën më të madhe në mënyrën e qeverisjes që prej ardhjes së tij në pushtet në vitin 2013, dokumenti ende nuk është bërë publik.
Nga ajo që kryeministri prezantoi para ministrave dhe deputetëve të Partisë së tij Socialiste, “Besa” nuk paraqitet si një reformë e administratës në kuptimin klasik, por si një metodë e re e marrjes së vendimeve.
Ideja qendrore është se institucionet nuk duhet të mbështeten vetëm te ligji, statistikat apo procedurat, por edhe te mënyra se si vendimet e tyre perceptohen nga qytetarët.
Sipas Ramës, një politikë publike nuk mund të konsiderohet e suksesshme vetëm sepse prodhon rezultate në letër, nëse njerëzit ndihen të painformuar, të padëgjuar apo të përjashtuar nga procesi.
Për ta realizuar këtë, dokumenti parashikon ngritjen e një njësie të posaçme pranë Kryeministrisë, e cila do të koordinojë zbatimin e modelit të ri në të gjitha institucionet.
Ajo nuk do t’i zëvendësojë ministritë, por do të monitorojë nëse vendimet merren sipas standardeve të reja dhe nëse administrata arrin ta ngushtojë hendekun mes Qeverisë dhe qytetarëve.
Modeli mbështetet në shtatë parime kryesore: dëgjimin e qytetarëve, vendimmarrjen e bazuar në prova, transparencën në shpjegimin e politikave, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, matjen e rezultateve, mësimin nga gabimet dhe parashikimin e krizave.
Në praktikë, kjo do të përkthehej në një sërë mekanizmash të rinj.
Mes tyre është edhe krijimi i një Barometri Kombëtar të Besimit, që synon të masë në mënyrë të pavarur perceptimin e qytetarëve ndaj institucioneve, si dhe i një Laboratori të Politikave Publike, ku reformat do të testohen fillimisht në shkallë të vogël përpara se të zbatohen në nivel kombëtar.
Një tjetër element është edhe platforma publike “Flamingo Mirror”, ku Qeveria premton të publikojë jo vetëm vendimet përfundimtare, por edhe dokumentet, dëgjimet publike, afatet, provat dhe argumentet mbi të cilat mbështetet çdo proces.
Sipas Ramës, synimi është që transparenca të mos kufizohet vetëm te rezultati, por të përfshijë gjithë rrugën që çon deri tek ai.
Vetë emri “Besa”, sipas kryeministrit, nuk është zgjedhur rastësisht.
“Njerëzit e këtij vendi të mos i përjetojnë më vendimet tona si prerje në besë. Të mos ndihen më të padëgjuar, të painformuar dhe të papërfillur”, tha Rama.
Por, pikërisht kjo zgjedhje e zhvendosi debatin përtej administratës publike.
Për shqiptarët, besa është shumë më tepër se një slogan politik apo një program qeveritar – ajo lidhet me fjalën e dhënë, besimin dhe përgjegjësinë morale.
Prandaj, që në momentin e prezantimit, dokumenti hapi diskutime nëse një koncept me një peshë të tillë historike dhe kulturore mund të përdoret si markë politike e një mandati qeverisës.
Reformë në qeverisje apo strategji e re komunikimi?
Për analistin Mentor Kikia, “Besa” është më shumë një përpjekje për të ndryshuar narrativin sesa vetë qeverisjen.
“Po synon ta quajë mesin e mandatit të katërt një fillim të ri. Një moment kur ai ka vendosur t’i dëgjojë qytetarët, të cilët janë të pakënaqur me çfarë është bërë deri tani dhe kërkojnë më shumë”, thotë Kikia për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, historia politike ka treguar se strategjitë e komunikimit mund të prodhojnë efekt politik edhe pa sjellë domosdoshmërisht ndryshime të thella në mënyrën se si funksionojnë institucionet.
Analisti Ylli Pata e sheh ndryshe.
Sipas tij, vetë fakti që Rama pranon publikisht nevojën për më shumë dialog, tregon se protestat që vazhdojnë, kanë prodhuar një reflektim politik.
“Mendoj se Rama do që të nisë një proces politik ndaj atyre që janë ose votues të Partisë Socialiste ose pjesë e elektoratit gri”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Për Patën, rëndësi nuk ka vetëm dokumenti, por nëse ai do të ndryshojë mënyrën se si merren vendimet për çështje të ndjeshme, si zhvillimi i territorit, kontratat publike apo projektet me ndikim të madh në interesin publik.
Por, përtej përmbajtjes së dokumentit, polemika ka përfshirë edhe vetë emrin “Besa”.
Ndër zërat më kritikë është deputetja e pavarur Marjana Koçeku, e cila u largua nga Partia Socialiste pas nisjes së protestave në Zvërnec dhe iu bashkua publikisht lëvizjes kundër projektit.
Sipas saj, përdorimi politik i termit “besë” e shkëput atë nga kuptimi që ka në traditën shqiptare.
Koçeku e përshkruan besën si një kontratë morale të pashkruar, të lidhur me tokën, komunitetin dhe përgjegjësinë ndaj brezave, duke argumentuar se një koncept i tillë nuk mund të përdoret për të emërtuar një projekt politik.
“Ata që e shohin tokën si truall për kulla shumëkatëshe e resorte, nuk arrijnë ta kuptojnë këtë koncept të shenjtë për malësorët. Besa mund të jepet edhe nëpër resorte, por ajo e humb kuptimin e saj”, thotë Koçeku për Radion Evropa e Lirë.
Kritika të ngjashme u dëgjuan edhe gjatë protestave para Kryeministrisë, ku pjesëmarrësit mbanin pankarta me mbishkrime si: “Edhe sa herë do të na presësh në besë?” dhe “A mund të flasë besëpreri për besën?”
Zvërneci, testi i parë i “Besës”?
Nëse “Besa” synon të ndryshojë mënyrën se si merren vendimet publike, atëherë prova e saj e parë mund të zhvillohet pikërisht në Zvërnec – aty ku nisën protestat që, sipas Ramës, e shtynë të rishikojë marrëdhënien e Qeverisë me qytetarët.
Sipas planit të prezantuar nga kryeministri, projekti turistik në zonën Vjosë-Nartë do t’i nënshtrohet një procesi të ri shqyrtimi përpara se të merret një vendim përfundimtar.
Brenda 90 ditëve parashikohet të analizohen dokumentacioni, ndikimi mjedisor dhe ai ekonomik i projektit, ndërsa procesi do të shoqërohet me dëgjime publike, konsultime me ekspertë dhe publikimin e dokumenteve në platformën “Flamingo Mirror”.
Në përfundim të këtij procesi, Qeveria parashikon disa skenarë të mundshëm: vazhdimin e projektit me garanci shtesë, ndryshimin e tij, vendosjen e kushteve të reja, rikonceptimin ose edhe ndalimin – në varësi të përfundimeve të vlerësimit.
Por, për analistin Mentor Kikia, problemi nuk qëndron te mungesa e një procesi të ri konsultimi.
Sipas tij, çështja e Zvërnecit lidhet para së gjithash me zbatimin e ligjit.
Ai argumenton se institucionet evropiane kanë kërkuar tashmë rishikimin e ndryshimeve ligjore të vitit 2024 për zonat e mbrojtura, si dhe vendosjen e një moratoriumi për ndërtimet në këto zona.
“Zvërneci nuk modifikohet. Ka një kërkesë nga Komisioni Evropian për anulimin e ndryshimeve ligjore të vitit 2024 për zonat e mbrojtura. Ka një kërkesë nga Parlamenti Evropian për anulimin e këtyre ndryshimeve dhe vendosjen e moratoriumit për të gjitha ndërtimet dhe investimet në zonat e mbrojtura. Pse nuk zbatohen?” thotë Kikia, duke shtuar se një proces i ri konsultimi rrezikon të shërbejë më shumë për të fituar kohë dhe për të ulur presionin publik, sesa për ta zgjidhur çështjen.
Por, Ylli Pata ka mendim tjetër.
Sipas tij, konflikte të ngjashme mes zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së mjedisit kanë ndodhur edhe në vende të tjera dhe nuk mund të zgjidhen vetëm duke u mbështetur tek argumenti i zhvillimit ose vetëm te kundërshtimi i protestuesve.
“Deklaratat e protestuesve i shoh më shumë si një agjendë anti-Trump sesa si një debat i plotë mbi investimet e huaja, trajtimin dhe menaxhimin e territorit. Në botë ka shembuj ku ambientalistët janë përplasur me projekte turistike, por në fund vendimi merret përmes debatit publik dhe institucioneve”, thotë ai.
Për momentin, procesi mbetet i hapur edhe në terren.
Në Zvërnec nuk po zhvillohen punime, ndërsa pas protestave është hequr edhe gardhi rrethues dhe është reduktuar prania e sigurisë.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) po heton procedurat që lidhen me pronësinë e tokës, administrimin e saj dhe vendimmarrjet që i paraprinë projektit.
A ka precedent?
Përpjekja për t’iu përgjigjur pakënaqësisë qytetare me një proces të ri dialogu nuk është e paprecedentë.
Një nga shembujt më të njohur është “Grand Debat National”, nisma që presidenti francez, Emmanuel Macron, ndërmori në vitin 2019 pas protestave të “Jelekëve të Verdhë”.
Përballë një krize të thellë besimi ndaj institucioneve, autoritetet franceze organizuan mijëra takime publike në të gjithë vendin, duke ftuar qytetarët të shprehnin qëndrimet e tyre për çështje si taksat, shërbimet publike, tranzicioni ekologjik dhe funksionimi i demokracisë.
Procesi zgjati disa muaj dhe u pasua nga një paketë reformash që Macron tha se ishin fryt i konsultimeve.
“Besa” e Ramës, në anën tjetër, paraqitet si një model i përhershëm qeverisjeje, që synon të shoqërojë gjithë mandatin e tij të katërt.