Erërat e forta shkaktojnë prishje në rrjetin elektrik, KEDS njofton për ndërprerje në disa rajone

Erërat e forta që kanë përfshirë Kosovën gjatë ditës së hënë kanë shkaktuar prishje në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike në disa rajone të vendit. Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë ka njoftuar se ekipet e saj ndodhen në terren dhe janë duke punuar pa ndërprerje për rikthimin sa më të shpejtë…

Lajme

20/07/2026 18:27

Erërat e forta që kanë përfshirë Kosovën gjatë ditës së hënë kanë shkaktuar prishje në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike në disa rajone të vendit.

Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë ka njoftuar se ekipet e saj ndodhen në terren dhe janë duke punuar pa ndërprerje për rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit me energji elektrike.

“Për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike, një numër rajonesh janë prekur nga prishje në rrjetin elektrik. Ekipet tona ndodhen në terren dhe po punojnë pa ndërprerje për të realizuar intervenimet e nevojshme, me qëllim rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit me energji elektrike. Ju falënderojmë për mirëkuptimin tuaj!”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.

Ndërkohë, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar se gjatë pasdites së sotme priten reshje lokale shiu të shoqëruara me shkarkime rrufesh në disa zona të vendit.

Motit të paqëndrueshëm i janë shtuar edhe dëme materiale. Në qendër të Prishtinës, erërat e forta kanë rrëzuar një lis, ndërsa në komunën e Istogut është raportuar për reshje breshëri.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes dhe të ndjekin njoftimet zyrtare deri në normalizimin e situatës.