Operacioni “White Star”, arrestohen pesë persona në disa qytete të Kosovës – konfiskohen armë, narkotikë, para dhe automjete

Pesë persona janë arrestuar në kuadër të operacionit policor të koduar “White Star”, i cili u zhvillua të martën në disa lokacione në Kosovë. Aksioni është realizuar nga Policia e Kosovës nën monitorimin e Prokurorisë Speciale, bazuar në urdhër të Gjykatës Themelore, dhe ka përfshirë lokacione në Prishtinë, Pejë, Prizren, Viti dhe Drenas, transmeton lajmi.net.…

Lajme

09/06/2026 14:01

Pesë persona janë arrestuar në kuadër të operacionit policor të koduar “White Star”, i cili u zhvillua të martën në disa lokacione në Kosovë.

Aksioni është realizuar nga Policia e Kosovës nën monitorimin e Prokurorisë Speciale, bazuar në urdhër të Gjykatës Themelore, dhe ka përfshirë lokacione në Prishtinë, Pejë, Prizren, Viti dhe Drenas, transmeton lajmi.net.

Sipas autoriteteve, pesë të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit special, nën dyshimin për përfshirje në veprat penale të pjesëmarrjes ose organizimit të grupit kriminal të organizuar, blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve, si dhe pastrimit të parave.

Gjatë kontrolleve, zyrtarët kanë sekuestruar prova dhe pasuri të ndryshme, përfshirë gjashtë armë, pesë karikatorë, 239 fishekë, 9.67 gramë kokainë, 35.18 gramë fara të marihuanës, 25 telefona mobilë, 7 mijë e 595 euro para të gatshme, 10 automjete dhe një motoçikletë.

Po ashtu janë konfiskuar 10 kompjuterë, 13 USB, një DVR dhe 16 ora dore.

Operacioni është mbështetur nga EUROPOL-i dhe autoritetet e Belgjikës, Francës dhe Holandës. Përfaqësues të këtyre institucioneve, së bashku me prokurorin e rastit, kanë monitoruar zhvillimin e aksionit nga afër.

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë theksuar se do të vazhdojnë luftën kundër krimit të organizuar përmes bashkëpunimit institucional dhe veprimeve të koordinuara në funksion të forcimit të sundimit të ligjit.

KOMUNIKATA E PLOTË: 

Komunikatë e përbashkët nga Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës

Operacioni “White Star”, arrestohen pesë persona
Prishtinë, 09 qershor 2026 – Pesë persona janë arrestuar gjatë aksionit të zhvilluar në kuadër të hetimeve në rastin e njohur me emrin “White Star”, të martën në disa lokacione.
Operacioni policior është realizuar nga Policia e Kosovës dhe ka përfshirë disa lokacione si në; Prishtinë, Pejë, Prizren, Viti dhe Drenas, nën monitorimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, në bazë të urdhrit të lëshuar nga Gjykata Themelore.
Pesë (5) personat janë ndaluar me vendim të prokurorit special për 48 orë, nën dyshimin për përfshirje në veprat penale:
· pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar;
· blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve; si dhe pastrimi i parave.
Gjatë realizimit të urdhër kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar prova relevante dhe pasuri të specifikuara duke përfshirë:
· 6 armë;
· 5 karikatorë;
· Lëndë narkotike e llojit kokainë 9.67 gr;
· Fara mbjellëse të llojit marihuanë 35,18 gr;
· 239 fishekë 239;
· 25 telefona 25 ;
· 7595 para të gatshme në euro;
· 10 automjete dhe 1 motoçikletë;
· 10 kompjuterë;
· 13 USB dhe 1 DVR;
· 16 ora dore etj.
Operacioni është mbështetur nga EUROPOL-i, autoritetet e Belgjikës, Francës dhe Holandës. Pjesëtarë të këtyre insitucioneve, së bashku me prokurorin e rastit kanë monitoruar operacionin policior nga vendi i ngjarjes.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës riafirmojnë angazhimin për luftimin e krimit të organizuar dhe forcimin e sundimit të ligjit. Nëpërmjet bashkëpunimit institucional dhe veprimeve të koordinuara, do të vazhdojnë të ndërmarrin masa për parandalimin, hetimin dhe ndjekjen e veprave penale, duke siguruar llogaridhënie dhe respektim të procedurave ligjore./lajmi.net/