Vjosa Osmani s’e rriti votën e LDK-së, partia u kthye si në shkurt 2025 kur morën 17% edhe pa të në listë

Lidhja Demokratike e Kosovës ka shënuar rritje të mbështetjes elektorale krahasuar me zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit 2021. Në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, LDK-ja kishte pasur 12.73% apo 110 mijë vota. Ndërkaq, gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, sipas të dhënave të KQZ-së, partia e Lumir Abdixhikut ka marrë 17.58% të votave, apo 133…

Lajme

09/06/2026 11:36

Lidhja Demokratike e Kosovës ka shënuar rritje të mbështetjes elektorale krahasuar me zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit 2021.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, LDK-ja kishte pasur 12.73% apo 110 mijë vota.

Ndërkaq, gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, sipas të dhënave të KQZ-së, partia e Lumir Abdixhikut ka marrë 17.58% të votave, apo 133 mijë e 676 vota, raporton lajmi.net

Po ashtu, një krahasim interesant ofrojnë edhe zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit 2025 dhe ato të 7 qershorit 2026.

Nga zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit 2025, e deri në këto të 7 qershorit 2026, kaluan hiç më shumë se 5 muaj, apo 161 ditë.

Por, ndonëse ka kaluar kohë e shkurtër, dallimi në rezultate mes këtyre dy datave është i ndjeshëm, fillimisht kah dalja e qytetarëve.

Në dhjetor, sipas rezultateve preliminare aso kohe, kishin votuar 906.754 qytetarë, apo 45.36%.

Ndërsa, më 7 qershor, kur u numëruan të gjitha kutitë, doli se kanë votuar veç 726.071 qytetarë, me pjesëmarrje prej 37.05% – rreth 180 mijë vota më pak në total.

Dalja e ulët e votuesve reflektoi ndjeshëm edhe në rezultatet e partive, sidomos te Vetëvendosje, si në vota ashtu edhe në përqindje.

Bazuar në rezultatin preliminar, pa llogaritur ende diasporën, Vetëvendosje mori 299.152 vota, apo 42.91%. Krahasuar me rezultatin e dhjetorit, ka rënë për rreth 135 mijë vota, pasi atë kohë kishte 433 mijë e 394 vota.

Më pak vota në krahasim me zgjedhjet e fundit mori edhe PDK, por përqindja iu rrit dhe vazhdon të ruajë pozitën e dytë edhe në këtë zgjedhje.

Më 7 qershor, PDK mori 147.325 vota, apo 21.13%. Ndërsa në dhjetor kishte 184.318 vota, por 20.98%.

Ndonëse u bashkua me Vjosa Osmanin, LDK sipas rezultatit aktual mori veç 3 mijë e 435 vota më shumë, por përqindja iu rrit ndjeshëm.

Të dielën, LDK-në e votuan 122.636 qytetarë, apo 17.58%. Ndërsa në dhjetor kishte marrë 119.201 vota, apo 13.57%.

Dallimi i madh në përqindje, por i ulët në numrin real të votave, shpjegohet me faktin se numri i votuesve në zgjedhjet e 7 qershorit ishte dukshëm më i ulët sesa në ato të dhjetorit.

Megjithatë, krahasuar me zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, LDK rezulton me mbi 23 mijë vota më shumë dhe me një rritje prej gati pesë pikësh përqindjeje, duke shënuar një rikuperim të dukshëm të mbështetjes elektorale./Lajmi.net/