Vendimi për 2 milionë eurot për biletat e mërgatës merr shumë kritika – Opozita dhe shoqëria civile e sheh si “blerje votash”
Qeveria në detyrë ka ndarë dy milionë euro për subvencionimin e biletave të fluturimit për diasporën kosovare. Vendimi u mor në mbledhjen elektronike të mbrëmshme, vetëm 12 ditë para zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 7 qershorit. Zyrtarisht, paratë shkojnë për “zbatimin e Masës 4.5 ‘Mbështetja e Mërgatës’ të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, për mbështetjen e linjave…
Lajme
Qeveria në detyrë ka ndarë dy milionë euro për subvencionimin e biletave të fluturimit për diasporën kosovare.
Vendimi u mor në mbledhjen elektronike të mbrëmshme, vetëm 12 ditë para zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 7 qershorit.
Zyrtarisht, paratë shkojnë për “zbatimin e Masës 4.5 ‘Mbështetja e Mërgatës’ të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, për mbështetjen e linjave të fluturimit për destinacionet që shërbejnë mërgatën tonë.”
Ky vendim vjen pak ditë pas shpërndarjes së rreth 100 milionë eurove për skema sociale, po ashtu dy javë para zgjedhjeve.
Kandidati i Vetëvendosjes dhe ushtrues i detyrës së ministrit të financave, Hekuran Murati, e arsyetoi si “aspak zgjedhore” vendimin në emisionin “Pressing” të T7.
“Kjo ka të bëjë me aviokompanitë, për të cilat është parë e nevojshme të ketë një skemë mbështetëse. Nuk ka të bëjë me fushatë, por me sezonën e verës,” tha Murati.
Reagimet e opozitës dhe shoqërisë civile ishin të menjëhershme dhe të ashpra.
Juristi Ehat Miftaraj nga Instituti Kosovar për Drejtësi vlerësoi se veprimi përbën vepër penale, por shprehu dyshim edhe ironik për reagim të prokurorisë.
“Një 70% e prokurorëve kane ra me fjetë, 10% janë duke prit me dal në pension, 10% thonë hajt se ndoshta kolega merret me këtë korrupsion qeveritar se tybe shteg që prishna me qeveri e me partinë në pushtet s’kam, e një 10% tjetër jane duke luftuar qysh me ia ba gropen kolegëve tjerë në këtë garën e famshme për kryeprokuror,” shkroi Miftaraj.
Eugen Cakolli nga Instituti Kosovar për Demokraci e cilësoi vendimin si “qershi mbi tortë” të keqpërdorimit të parasë publike.
“Kjo tashmë e tejkalon dimensionin e shkeljeve ligjore dhe e cenon drejtpërdrejt e seriozisht parimin e zgjedhjeve të ndershme. Një qasje e tillë po e shndërron garën zgjedhore në një proces krejtësisht të pabarabartë, ku partia në pushtet krijon epërsi përmes parasë publike dhe avantazhit institucional, e jo përmes një gare të drejtë politike,” shkroi Cakolli.
Hykmete Bajrami e Lidhjes Demokratike të Kosovës e quajti vendimin “të turpshme dhe të papranueshme.”
“Para një jave ndau rreth 100 milionë euro. Sot edhe 2 milionë të tjera për bileta. 100-she, 500-she, subvencione e bileta, krejt këto jo pse Kurti brengoset për ju, po sepse ju votoni me 7 qershor,” tha Bajrami.
“Kurrë në historinë e Kosovës nuk ka ndodhë keqpërdorim kaq i madh i buxhetit në prag të zgjedhjeve,” shtoi ajo.
Kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, e quajti vendimin abuzim të pushtetit dhe paralajmëroi pasoja të rënda.
“Në Kosovë po tentohet të instalohet regjim kriminal totalitar. Ky njeri po abuzon me gjithçka deri në skaj, veç për me mbet vetë në pushtet,” shkroi Gjini, duke shtuar se “këto janë vendime kriminale, e thënë butë.”
Arben Mustafa i Partisë Demokratike të Kosovës e quajti veprimin “blerje të pastër të votës.”
“2 milionë euro nga buxheti i shtetit për subvencionimin e linjave ajrore, e maskuar si masë për mbështetjen e mërgatës, rreth 2 javë para ditës së zgjedhjeve. Ky është keqpërdorim i buxhetit të shtetit për interesa të partisë dhe pushtetit,” shkroi Mustafa.
Kandidati i PDK-së, Përparim Gruda, i bëri thirrje Prokurorisë së Shtetit të nisë menjëherë hetime.
“Kur pushteti përdor buxhetin e Kosovës për fushatë, zgjedhjet nuk janë më as të lira dhe as të ndershme. Heshtja në këtë rast do të ishte bashkëfajësi,” shkroi Gruda.