Vuçiq i kërkon Hagës lirimin e kriminelit Mlladiq
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi sot se gjendja shëndetësore e ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Serbe, Ratko Mlladiq, i cili në Hagë po vuan dënimin për krime lufte në Bosnje-Hercegovinë, është shumë e rëndë dhe se nuk e kupton pse atij nuk i lejohet që “ditët e fundit t’i kalojë jashtë qelisë së burgut”.…
Lajme
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi sot se gjendja shëndetësore e ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Serbe, Ratko Mlladiq, i cili në Hagë po vuan dënimin për krime lufte në Bosnje-Hercegovinë, është shumë e rëndë dhe se nuk e kupton pse atij nuk i lejohet që “ditët e fundit t’i kalojë jashtë qelisë së burgut”.
“Jam informuar nga ministri i drejtësisë Nenad Vujiq se gjendja e tij është shumë e rëndë. Ai nuk ka mundur të ulet, është dërguar në spital në pozicion të shtrirë dhe ka qenë në gjendje të përgjigjet vetëm shkurt. Nuk e kuptoj pse dikujt nuk i lejohet të kalojë ditët e fundit jashtë qelisë së burgut. Por a jam i befasuar? Jo”, tha Vuçiq para gazetarëve në Beograd.
Ratko Mlladiq është një nga figurat më të njohura ushtarake të luftës në Bosnje dhe Hercegovinë gjatë viteve 1992–1995, si komandant i Ushtrisë së Republikës Serbe, shkruan danas.rs.
Ai u bë një nga personat më të kërkuar nga drejtësia ndërkombëtare për krimet gjatë luftës në Bosnje-Hercegovinë, i cili la pas vetes dhjetëra mijëra viktima dhe një krizë të thellë humanitare në rajon.
Në vitin 2017, Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë e shpalli fajtor Mlladiqin për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, përfshirë edhe masakrën e Srebrenicës, i konsideruar si krimi më i rëndë në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Ai u dënua me burgim të përjetshëm.
Sipas raportimeve të fundit, Mlladiq më 10 prill ka pësuar goditje në tru dhe që atëherë ndodhet në spitalin e paraburgimit në Hagë, ku po trajtohet nën mbikëqyrje mjekësore. Gjendja e tij shëndetësore është raportuar si e rëndë dhe e paqëndrueshme, duke ngritur diskutime edhe për mundësinë e trajtimit të tij jashtë qelisë së burgut në fazat e fundit të jetës.