Edona Llalloshi deklaron pasurinë – Dy Mercedesë në vlerë 108 mijë euro, banesë e kat shtëpie mbi 313 mijë euro

Deputetja e Kuvendit të Kosovës dhe këngëtarja Edona Llalloshi ka dorëzuar deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë më 24 mars 2026, ndërsa detyrën si deputete e ushtron që nga 19 prilli 2025. Në formularin e saj, te pasuritë e paluajtshme, ajo ka deklaruar një banesë prej 139.48 metrash katrorë, të blerë me kredi në vitin…

Lajme

17/04/2026 19:13

Deputetja e Kuvendit të Kosovës dhe këngëtarja Edona Llalloshi ka dorëzuar deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë më 24 mars 2026, ndërsa detyrën si deputete e ushtron që nga 19 prilli 2025.

Në formularin e saj, te pasuritë e paluajtshme, ajo ka deklaruar një banesë prej 139.48 metrash katrorë, të blerë me kredi në vitin 2015, me vlerë 95 mijë euro, raporton lajmi.net

Po ashtu, ka deklaruar edhe një kat shtëpie prej 168 metrash katrorë, të cilin e ka përfituar me trashëgimi në vitin 2019, me vlerë 218,400 euro.

Sa i përket pasurive të luajtshme mbi 3 mijë euro, Llalloshi ka deklaruar dy vetura të markës Mercedes-Benz, të blera përmes lizingut në vitin 2023, njëra në vlerë 72 mijë euro dhe tjetra 36 mijë euro.

Në pjesën e detyrimeve financiare, ajo ka bërë të ditur se ka dy kredi në Raiffeisen Bank Kosovo për nevoja familjare: një me vlerë fillestare 26 mijë euro, nga e cila kanë mbetur për t’u paguar 12,695.74 euro, dhe një tjetër me vlerë fillestare 42 mijë euro, me mbetje prej 21,328.87 euro.

Llalloshi ka deklaruar edhe kursimet në banka, përfshirë 10,703 euro të lidhura me aktivitetin e saj artistik përmes biznesit “Edona Band SH.P.K.”. Gjithashtu, janë evidentuar edhe kursime në emër të fëmijëve në vlera prej 8,000.66 euro dhe 7,600.64 euro, të deklaruara si të ardhura nga nëna.

Në deklarim figuron edhe biznesi i saj “Edona Band SH.P.K.”, ku ajo zotëron 100% të aksioneve, me vlerë të deklaruar prej 1,000 euro. Ndërkohë, të ardhurat vjetore të saj përfshijnë 10,476.74 euro pagë neto si deputete dhe 21,500 euro nga veprimtaria artistike përmes biznesit të saj./Lajmi.net/