Familja në Lipjan/ Hoti: Që nga viti 2013 fëmijët iu janë marrë disa herë por janë rikthyer, në QPS duhej të ishin 6 zyrtarë ishin vetëm 3

Ministri për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti ka folur sot para mediave në lidhje me rastin e fëmijës 5 vjeçar në Lipjan, që dyshohet se është keqtrajtuar nga prindërit e tij. Ai ka thënë se fëmija tashmë është në gjendje më të mirë shëndetësore se që ka qenë, ndërsa ka thënë…

Lajme

19/03/2026 13:05

Ministri për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti ka folur sot para mediave në lidhje me rastin e fëmijës 5 vjeçar në Lipjan, që dyshohet se është keqtrajtuar nga prindërit e tij.

Ai ka thënë se fëmija tashmë është në gjendje më të mirë shëndetësore se që ka qenë, ndërsa ka thënë se në lidhje me këtë rast më shumë kompetenca kanë Qendrat për Punë Sociale, që janë nga një për çdo komunë.

“Ne duhet të dijmë se të gjitha rastet sociale në Republikën e Kosovës që përfshijnë trajtimin e dhunës, keqtrajtimin dhe çdo formë tjetër që shtë e nevojshme ndërhyrja, është kompetencë e Komunave përkatësisht e Qendrave për Punë Sociale dhe jo e Ministrisë.  Roli i Ministrisë në këtë rast është vetëm hartimi i politikave sociale dhe mbikëqyrja e zbatimit të tyre përmes mekanizmave që aktualisht i kemi.  Ministra në këtë pikë e ka njësinë e Inspektimit të cilën vetëm se e kemi aktivizu dje, dhe iu kemi njoftu që me urgjencë ka shku me hetu rastin në QPS në Lipjan, dhe kjo njësi ka për mandat që në kuadër të legjislacionit në fuqi të hetoj rastin dhe të rekomandoj ministrin për veprimet në bazë të të gjeturave”, ka thënë Hoti.

Ai ka thënë se pas raportit të inspektimit, ministri ka të drejtë që edhe të revokoj licencat për individ që janë ofrues të shërbimeve sociale.

“Në momentin që sapo e kemi raportin përfundimtar nga njësia e inspektimit dhe nëse kontaktohen vërtetë shkelje nga QPS, unë iu siguroj që do të merren të gjitha masat ligjore që janë në kompetencë timin, përfshirë edhe revokimin e licencave të punëtorëve aty”, ka thënë Hoti.

Ai ka treguar se çka është gjetur deri tani nga inspektimi.

“Në bazë të të gjeturave të deritanishme, janë të paraparë gjashtë zyrtarë dhe aktualisht janë vetëm tre zyrtarë. Më duhet t’iu bëj thirrje kryetarëve të Komunave që të rrisin kapacitet në QPS, duke përfshirë edhe aspektin njerëzor, kapacitetet humane por edhe infrastrukturën në mënyrë që të kemi cilësi në parandalimin e këtyre rasteve”, ka thënë ministri.

Ai ka thënë se këtë javë kanë miratuar planin e akteve nënligjore dhe më pas do të krijojnë një rregullore që inspektimet në kuadër të kësaj njësie të kryhen në këto forma.

“Të ketë minimun 38 inspektime në vit, që do të thotë inspektime të rregullta për QPS, të ketë inspektime në bazë të ankesave dhe inspektime në bazë të detyrës zyrtare.  Edhe kur inspektorët shohin një lajm nga mediat, ata duhet të kenë autoritetin të kryejnë inspektimin dhe jo vetëm kur të kenë ankesë”, ka thënë ai.

Ai ka treguar më shumë nga raporti preliminar i deritanishëm.

“Raporti preliminar nuk mund ta shpalos të gjithin, por spjegon që kjo familje nga viti 2013 ka qenë nën trajtim të QPS-së në Lipjan dhe rrjedhimisht disa herë iu janë marrë ata fëmijë nga prindërit por janë rikthyer prapë pas analizave psikiatrike dhe diagnostifikimit që i ka bërë shëndeti mendor.  Në vitin 2023, Gjykata e ka rikthy këta fëmijë tek familja edhe njëherë dhe inspektimi po e trajton pse është rikthy, a i kanë plotësur prindërit kushtet për t’i rikthyer. Në momentin që kryhet inspektimi final do të iu njoftojmë për të gjitha hapat që do t’i ndërmarrim si Ministri”, ka shtuar Hoti. /Lajmi.net/