Kosova në dilemë institucionale: Kuvendi i shpërndarë, Qeveria në detyrë?

Ngjarjet e 5 dhe 6 marsit krijuan një situatë të paqartë dhe të tensionuar në politikën e Kosovës, duke ngritur një sërë pyetjesh: A është Kuvendi i shpërndarë? A po funksionon Qeveria në detyrë? Dhe kush i merr vendimet tani? Pasi Kuvendi nuk arriti ta zgjidhte presidentin e ri në seancën e 5 marsit, të…

Lajme

09/03/2026 20:06

Ngjarjet e 5 dhe 6 marsit krijuan një situatë të paqartë dhe të tensionuar në politikën e Kosovës, duke ngritur një sërë pyetjesh: A është Kuvendi i shpërndarë? A po funksionon Qeveria në detyrë? Dhe kush i merr vendimet tani?

Pasi Kuvendi nuk arriti ta zgjidhte presidentin e ri në seancën e 5 marsit, të nesërmen presidentja aktuale, Vjosa Osmani, e shpërndau legjislaturën e dhjetë.

Pas nxjerrjes së dekretit, Osmani takoi liderët e partive për konsultime mbi datën e zgjedhjeve – takim në të cilin nuk mori pjesë partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e kryeministrit Albin Kurti.

Kjo parti e dorëzoi dekretin në fjalë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa kabineti i Osmanit konfirmoi se presidentja do të presë përgjigjen e saj, për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Gjykata Kushtetuese, fotografi nga arkivi.
SHIKONI EDHE:
Vetëvendosje e dërgon në Kushtetuese dekretin e Osmanit, Presidenca pret vendimin
“Nëse Gjykata Kushtetuese e vlerëson si të nevojshme të caktohet një mase e përkohshme, Presidenca e mirëpret atë, duke ritheksuar se masa – në asnjë moment – nuk paragjykon vendimin përfundimtar të Gjykatës lidhur me kushtetutshmërinë e dekretit”, tha këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina.

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, dekreti i presidentes Osmani është antikushtetues.

“Në një shtet demokratik, asnjë institucion dhe asnjë bartës i funksionit publik nuk mund të veprojë mbi Kushtetutën apo jashtë saj”, tha shefja e deputetëve të LVV-së, Arbërie Nagavci, në njoftimin se i është drejtuar Kushtetueses për rastin, më 9 mars.

Kushtetuesja konfirmoi për REL-in se ka pranuar kërkesën nga Lëvizja Vetëvendosje.

Arifi: Dekreti i presidentes rikonfiguron skenën politike
Politologu Dritëro Arifi thotë për Radion Evropa e Lirë se veprimi i presidentes Vjosa Osmani me dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, ka krijuar një moment të veçantë për skenën politike në vend.

“Ky moment po e tregon ‘pikën e vlimit’ apo pikën e ndarjes ndërmjet dy koncepteve, që kanë qenë brenda një koncepti… pra të Kurtit dhe Osmanit. Ndarja në mënyrë aq ‘brutale’ i shpërfaqi mbase të gjitha mospajtimet që kanë ekzistuar nga fillimi”, thotë Arifi.

Sipas tij, dekreti i Osmanit do të sjellë një rikonfigurim në spektrin politik të Kosovës, duke ndarë forcat që mbështesin Kurtin dhe ato që do të bashkohen me Osmanin.

“Zonja Osmani me siguri do të garojë në zgjedhjet e ardhshme, pasi mandati i saj skadon më 4 prill. Do të kemi një skenë politike të re, ndryshe nga ajo që pamë vitin e kaluar dhe këtë vit”, thotë Arifi.

Ai vlerëson se vendimi i presidentes, pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ka hapur rrugën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, pasi mungesa e konsensusit politik për zgjedhjen e presidentit e bën të pamundur përfundimin e procesit.

Çfarë ndodh me Kuvendin?
Nga 6 marsi, kur u shpërnda legjislatura e 10-të, Kuvendi nuk mbajti asnjë seancë dhe asnjë mbledhje të komisioneve parlamentare.

Kryeministri Kurti u tha gazetarëve atë ditë se shpërndarja e Kuvendit ka pamundësuar mbajtjen e një seance të planifikuar për po atë ditë, në të cilën pritej të ratifikoheshin disa marrëveshje ndërkombëtare.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se nuk mund të thërrasë seanca derisa dekreti i presidentes mbetet në fuqi.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
SHIKONI EDHE:
Haxhiu: S’mund të thërras seancë, dekreti i Osmanit është jokushtetues
“Nëse ka dekret për shpërndarje të Kuvendit, Kuvendi nuk mund ta vazhdojë punën. Nëse Gjykata Kushtetuese do të marrë masë të përkohshme, natyrisht që rrethanat do të ndryshojnë”, tha Haxhiu më 9 mars.

Partitë opozitare nuk iu përgjigjën pyetjes së REL-it nëse do të dërgojnë komente në Gjykatën Kushtetuese, në rastin e dekretit të presidentes, ndërsa publikisht e mbështetën vendimin e saj.

A është Qeveria në dorëheqje?
Neni 30 i Ligjit për Qeverinë thotë se ekzekutivi konsiderohet në dorëheqje pas shpërndarjes së Kuvendit.

Por, i njëjti ligj parasheh që Qeveria aktuale ta vazhdojë detyrën me disa kufizime derisa të zgjidhet Qeveria e re.

Qeveria nuk iu përgjigj REL-it nëse po vepron me statusin e Qeverisë në dorëheqje, por kryeministri Kurti vazhdoi emërimet e tre zëvendësministrave edhe pas shpërndarjes së Kuvendit.

Albin Kurti, Glauk Konjufca dhe Albulena Haxhiu, gjatë seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, më 15 prill 2025.
SHIKONI EDHE:
Çfarë thotë ligji për dorëheqjen e Qeverisë?
Naim Jakaj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se ligji ia ndalon Qeverisë në dorëheqje të iniciojë procedura për emërime të reja në pozita publike.

Ndaj, sipas tij, emërimet e zëvendësministrave dhe të pozitave tjera të larta qeveritare janë problematike nga pikëpamja juridike.

“Emërimet e tilla mund të konsiderohen jo vetëm jolegjitime në aspektin politik, por edhe jolegale në aspektin juridik, pasi tejkalojnë kompetencat që i lejohet të ushtrojë një qeverie në dorëheqje. Përveç procedurave që kanë nisur, ato duhet të përfundohen”, shpjegon Jakaj për Radion Evropa e Lirë.

Në çfarë situate janë institucionet e shtetit?
Legjislatura e 10-të arriti të miratojë buxhetin për vitin 2026 dhe disa marrëveshje ndërkombëtare, të cilat po prisnin për gati një vit.

Jakaj vlerëson se ka një numër të madh institucionesh të pavarura që vazhdojnë të funksionojnë me ushtrues detyre ose me mandate të përfunduara.

Ndër to janë: Komisioni i Pavarur për Media, Bordi i Radio Televizionit të Kosovës, si dhe Avokati i Popullit dhe pesë zëvendësit e tij, të cilët janë duke ushtruar funksionin me mandat të përkohshëm.

Bankënota euro.
SHIKONI EDHE:
Miratohet buxheti i 2026-tës: Ku do t’i shpenzojë Kosova 4 miliardë euro?
“Nëse vendi shkon në zgjedhje dhe procesi i konstituimit të institucioneve zgjatet, ekziston rreziku që këto institucione të mbeten të paralizuara për një periudhë të gjatë, duke krijuar pasoja serioze për funksionimin normal të shtetit”, thotë Jakaj.

Një problem tjetër është përbërja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Ligji për Zgjedhje të Përgjithshme kërkon që grupet parlamentare të propozojnë kandidatët për anëtarë të KQZ-së brenda 30 ditëve nga certifikimi i zgjedhjeve.

Data e fundit për këtë është 11 marsi, ndërsa mandati i anëtarëve të rinj fillon më 11 prill.

Por, si mund të japin emra grupet parlamentare kur Kuvendi është shpërndarë?

Sipas Jakajt, presidentja mund t’u drejtohet drejtpërdrejt subjekteve politike që kanë fituar ulëse në zgjedhjet e fundit, bazuar në rezultatet e certifikuara nga KQZ-ja.

“Megjithatë, kjo situatë tregon një zbrazëti praktike në legjislacion, sepse ligji është shkruar duke supozuar ekzistencën e grupeve parlamentare. Në periudha tranzicioni institucional, si pas zgjedhjeve dhe para konstituimit të Kuvendit të ri, institucionet duhet të mbështeten në interpretim funksional të ligjit, për të shmangur bllokimin e proceseve të rëndësishme siç është përbërja e KQZ-së”, thotë Jakaj.

Aktualisht, vendi po pret edhe një vendim tjetër të Gjykatës Kushtetuese – atë për kërkesën e kryetares së Kuvendit për pezullimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit.

Kuvendi i Kosovës, 5 mars 2026.
SHIKONI EDHE:
Kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin e Kosovës në mungesë të kuorumit, Haxhiu i drejtohet Kushtetueses
Jakaj thekson se Ligji për Gjykatën Kushtetuese nuk përcakton një afat strikt për vendimmarrje në raste të tilla.

“Nga praktika e deritanishme, Gjykata Kushtetuese zakonisht vepron me urgjencë, për shkak të natyrës së ndjeshme dhe pasojave institucionale që mund të ketë një situatë e tillë”, sipas tij.

Ai shton se Gjykata Kushtetuese mund të vendosë fillimisht edhe masë të përkohshme, në mënyrë që të shmangen “dëmet e pariparueshme institucionale”, dhe më pas të sjellë vendim përfundimtar për kushtetutshmërinë e dekretit.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të përcaktojë nëse vendi shkon drejt zgjedhjeve apo krijohet një situatë tjetër institucionale./REL