Haxhiu: Vendimi i Osmanit ka qenë befasi edhe për mua- Presidenca nuk është mbi Kuvendin e Kosovës dhe vendimi i saj do çohet në Kushtetuese

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu është deklaruar në lidhje me cështjen e dekretit të presidentes për shpërndarjen e Kuvendit. Ajo deklaroi se tashmë pritet që grupi Parlamentar i Vetëvendosje ta dërgojë këtë çështje në Gjykatë Kushtetuese. “Sa i përket çështjes për të cilën jeni të interesuar tashmë pritet që grupi parlamentar i Vetëvendosjes…

Lajme

09/03/2026 11:36

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu është deklaruar në lidhje me cështjen e dekretit të presidentes për shpërndarjen e Kuvendit.

Ajo deklaroi se tashmë pritet që grupi Parlamentar i Vetëvendosje ta dërgojë këtë çështje në Gjykatë Kushtetuese.

“Sa i përket çështjes për të cilën jeni të interesuar tashmë pritet që grupi parlamentar i Vetëvendosjes ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese lëndën që ndërlidhet me dekretin jokushtetues të presidentes Osmani. Pres që Gjykata Kushtetuese të veprojë në përputhje me ndjeshmërinë e çështjes dhe të marrë shpejt së pari masën e përkohshme sepse pasojat do të jenë të pariparueshme, prandaj le ta presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese në raport me situatën aktuale”, tha ajo.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se vendimi i presidentes për të shpërndarë kuvendin për të ka qenë befasi sepse sipas saj është jokushtetues, është i ngutshëm.

“Nëse ka dekret për shpërndarje të kuvendit, kuvendi nuk mund të vazhdojë punën. Nëse Gjykata Kushtetuese do të marrë masë të përkohshme natyrisht që rrethanat do të ndryshojnë. Siç e dini ne kemi shumë punë për të bërë. Kuvendi është konstituuar në një kohë shumë të shpejtë pas certifikimit të rezultateve, kemi arritur që të votojmë marrëveshje ndërkombëtare shumë të rëndësishme, shumë marrëveshje ndërkombëtare të tjera na presin nëse kuvendi do të vazhdojë punën. Kemi arritur që të votojmë buxhetin për vitin 2026. Vendimi i presidentes për të shpërndarë kuvendin për mua ka qenë befasi sepse është jokushtetues, është i ngutshëm dhe natyrisht që si të tillë do ta kundërshtoj edhe si kryetare e kuvendit. Ju e dini që Kushtetuta e Republikës së Kosovës parasheh rrethanat se kur shpërndahet Kuvendi i Republikës së Kosovës, prandaj në këtë aspekt nuk ka asnjë rrethanë që i jep të drejtën presidentes që pa kaluar afati 60 ditor dhe pa dështuar në zgjedhjen e presidentit të vendit ta shpërndajë Kuvendin e Republikës së Kosovës. Presidenca nuk është mbi Kuvendin e Kosovës prandaj mendoj që këtij vendimi nuk duhet t’i gëzohej asnjë deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës sepse realisht është minim i punës së kuvendit dhe minim i institucionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, tha ajo.

Haxhiu tha se fjalët e thënë në seancën e 5 marsit, ishin të aktgjykimit Kushtetues.

“Në secilën paraqitje që unë kam pasur, përfshirë edhe të tjerë të cilët unë i kam dëgjuar (ka pasur raste të cilat unë nuk kam arritur që t’i dëgjoj), ne kemi thënë që janë dy rrethana kur vendi shkon në zgjedhje. Në rastin e presidentit e para kur kalojnë 60 ditë, dhe ky nuk është rasti sepse nuk janë përmbushur 60 ditë, ne vetëm sa kemi nisur procedurat sepse kushtetuta i përmend nisjen e procedurave për zgjedhjen e presidentit. Dhe në anën tjetër kur në raundin e tretë asnjëri kandidat nuk arrin që të marrë votat për t’u bërë president. Pra nuk ka një rrethanë siç e kemi pasur ne”, tha ajo.

Ajo tha se “Pra s’ka një rrethanë ku nuk ka kuorum sepse s’është respektuar akti që duhet të jenë aty për të qenë prezent. Deputetët e Kuvendit duhet t’i braktisin këto forma që pamundësojnë konstituimin e institucioneve. Ngjashëm ka qenë dhe vitin e kaluar, por tash e nisëm mirë e mbarë por ja që doli dekreti për shpërndarje të Kuvendit dhe jemi në një situatë të tillë”,shtoi Haxhiu.

“Thërrasë Gjykatën Kushtetuese ta ketë parasysh që nevojitet vigjilencë e shpejtësi. Pra i thërras të gjithë ta lënë Gjykatën ta bëjë punën e saj.”./Lajmi.net/