Trump pret Inter Miamin në Shtëpinë e Bardhë, lavdëron Messin: Mund të jetë më i mirë se Pele
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka pritur në Shtëpinë e Bardhë ekipin e Inter Miamit, pas triumfit të tyre në ligën amerikane të futbollit, MLS. Gjatë ceremonisë, Trump i kushtoi vëmendje të veçantë yllit argjentinas Lionel Messi, duke e lavdëruar për sukseset e tij dhe ndikimin që ka pasur në futbollin amerikan që…
Sport
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka pritur në Shtëpinë e Bardhë ekipin e Inter Miamit, pas triumfit të tyre në ligën amerikane të futbollit, MLS.
Gjatë ceremonisë, Trump i kushtoi vëmendje të veçantë yllit argjentinas Lionel Messi, duke e lavdëruar për sukseset e tij dhe ndikimin që ka pasur në futbollin amerikan që nga ardhja në klubin nga Florida, transmeton lajmi.net.
Trump tregoi edhe një moment personal me familjen e tij, duke thënë se djali i tij është një fans i madh i Messit.

“Sot djali im më tha: ‘A e di kush do të jetë sot këtu… Messi do të jetë këtu dhe ai është më i miri’. Ai është një fans i madh i Messit”, tha presidenti amerikan.
Ai përmendi edhe një nga golat e fundit të Messit, duke e cilësuar si historik për një klub amerikan.
“Messi shkroi një arritje historike për një klub amerikan me atë gol historik që shënoi kundër Portos në Kupën e Botës për Klube. A mund ta shënoj edhe unë këtë gol me stërvitje?”, tha Trump me humor.
Presidenti amerikan theksoi se shumë futbollistë të mëdhenj kanë luajtur në Shtetet e Bashkuara, por jo të gjithë kanë arritur të fitojnë trofe.
“Shumë lojtarë të mëdhenj vijnë këtu dhe luajnë mirë, por nuk fitojnë. Por Leo, ti erdhe këtu dhe fitove. Kishe edhe më shumë presion se të tjerët, dhe pavarësisht këtij presioni arritët shumë”, u shpreh ai.
Trump gjithashtu vuri në dukje se Messi është kampion bote dhe një nga lojtarët më të suksesshëm në historinë e futbollit.
“Messi është kampioni aktual i Kupës së Botës dhe MVP. Mund të shkoje kudo në botë, por zgjodhe të vije këtu – dhe nuk të fajësoj, moti këtu është shumë i mirë”, tha ai.
Në fund të fjalës së tij, presidenti amerikan ngriti edhe një debat të njohur në botën e futbollit.
“Messi ka fituar 47 trofe, më shumë se çdo lojtar tjetër në histori. A mund ta imagjinoni këtë? Messi mund të jetë edhe më i mirë se Pelé. Kush është më i mirë? Messi apo Pelé?”, tha Trump.
Inter Miami po përjeton një nga periudhat më të suksesshme në historinë e klubit, ndërsa ardhja e Lionel Messit në MLS ka rritur ndjeshëm interesin për futbollin në Shtetet e Bashkuara./lajmi.net/