Në kazermën “Adem Jashari”, Kurti kujton tri ditët e sakrificës së Prekazit që formuan fatin e lirisë dhe shtetit të Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur një fjalim emocionues në kazermën “Adem Jashari”, në kuadër të përkujtimit të 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Në fjalimin e tij, Kurti theksoi rëndësinë historike të sakrificës së familjes Jashari gjatë ditëve të 5, 6 dhe 7 marsit 1998 në Prekaz. Ai e cilësoi…
Lajme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur një fjalim emocionues në kazermën “Adem Jashari”, në kuadër të përkujtimit të 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në fjalimin e tij, Kurti theksoi rëndësinë historike të sakrificës së familjes Jashari gjatë ditëve të 5, 6 dhe 7 marsit 1998 në Prekaz. Ai e cilësoi këtë ngjarje si një moment vendimtar në rrugën e betejave të shqiptarëve për liri në Kosovë gjatë shekullit XX.
“Në historinë moderne të Kosovës, Epopeja e UÇK-së paraqet traditën përmes së cilës i referohemi ngjarjes më totale dhe përcaktuese. Populli e ka UÇK-në dhe UÇK-ja e epopenë e saj e cila është ngritur përreth rezistencës së armatosur dhe sakrificës së familjes Jashari. Ky është një shembull i fuqisë së qëndresës, dalë nga guximi dhe gatishmëria për të sakrifikuar gjithçka për liri”, tha Kurti.
Ai kujtoi se sulmet ndaj familjes Jashari, përfshirë rrethimin e tretë në mars të vitit 1998, përfaqësuan kalimin nga përpjekjet paqësore dhe diplomatike drejt luftës së armatosur për çlirimin e vendit.
Kryeministri gjithashtu përmendi Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), duke e vendosur atë në kontekstin e sakrificës së Jasharëve:
“FSK sot rreshtohet me ushtritë e NATO-s, merr pjesë në misione që ndërtojnë dhe mirëmbajnë paqen kudo në botë. Dhe e gjithë kjo ka ndodhur nën urdhra dhe komanda të dhëna dikur nga kazermat e komandantit Adem Jashari. Sot jemi përpara kuadrateve të Ushtrisë së Kosovës, ashtu siç e kishte ëndërruar Adem Jashari, në kohën kur Ushtria e Kosovës ishte vetëm një ide e vogël e besuar nga pak njerëz”, tha Kurti.
Ai shtoi se avancimi i FSK-së është rezultat i investimeve milionëshe të qeverisë në pajisje, trajnime dhe infrastrukturë, duke nënvizuar rolin e vazhdueshëm të institucioneve të Kosovës në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit të vendit.
Ky përkujtim shërben si reflektim mbi sakrificën e familjes Jashari dhe betimin për të ruajtur dhe avancuar lirinë dhe shtetësinë e Kosovës. /Lajmi.net/