Vëllezërit e ish-Presidentit Thaçi dhe familjarë të tjerë mblidhen tek Specialja në Hagë

Numër më i madh i familjarëve e qytetarëve të cilët sot kanë ardhur në Gjykatën Speciale. Ata po hyjnë brenda pak para fillimit të deklaratës përmbyllëse të mbrojtjes së Jakup Krasniqit. Pranë Qendrës së Paraburgimit ku po mbahet ish-Presidenti Hashim Thaçi, arritën edhe dy vëllezërit e tij. Ekipi mbrojtës i Jakup Krasniqit do të vazhdojë…

Lajme

16/02/2026 08:54

Numër më i madh i familjarëve e qytetarëve të cilët sot kanë ardhur në Gjykatën Speciale.

Ata po hyjnë brenda pak para fillimit të deklaratës përmbyllëse të mbrojtjes së Jakup Krasniqit.

Pranë Qendrës së Paraburgimit ku po mbahet ish-Presidenti Hashim Thaçi, arritën edhe dy vëllezërit e tij.

Ekipi mbrojtës i Jakup Krasniqit do të vazhdojë sot me deklaratën përmbyllëse.

Mbrojtja e tij, e udhëhequr nga avokatja Venkateswari Alagendra ka nisur parashtrimet përfundimtare pasditen e së premtes, raporton KosovaPress.

Ajo ka thënë para trupit gjykues se klienti i saj po privohet padrejtësisht nga liria tash e pesë vjet.

Avokatja e Krasniqit tha se ekziston vetëm një opsion – që Krasniqi të shpallet i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës dhe të kthehet pranë familjes së tij.

Mbrojtja e Jakup Krasniqit ka një orë e gjysmë kohë për të përfunduar parashtrimet përfundimtare.

Pas kësaj, trupi gjykues për dy orë do të parashtrojë pyetje për palët. E më pas radhën e ka Zyra e Prokurorit të Specializuar për kundërpërgjigje.

Katërshja e UÇK-së do t’i drejtohet trupit gjykues të mërkurën me deklaratat përmbyllëse, secili nga 20 minuta.

Kjo shënon fazën përfundimtare të procesit më të madh gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly West ka kërkuar dënim me burgim prej 45 vitesh, për secilin nga ish-krerët e UÇK-së.

Ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit kanë kërkuar që të njëjtit të shpallen të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Ata kanë deklaruar para trupit gjykues se nuk ka asnjë provë që argumenton pretendimet e ZPS-së për krime lufte.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë cilësuar si të pabazuara. Edhe mbrojtja i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.

Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.