Kurti paraqet programin qeverisës: Çerdhe e gjimnaze të reja, investime mbi 1 miliard euro dhe reforma në shëndetësi e bujqësi
Kandidati për kryeministër, Albin Kurti, gjatë paraqitjes së ekspozesë në Kuvend, ka shpalosur prioritetet e programit qeverisës, duke premtuar investime të gjera në disa sektorë kyç. Në arsim, ai ka paralajmëruar ndërtimin e çerdheve dhe pesë gjimnazeve të reja, si dhe rishikimin e teksteve shkollore. “Do të ndërtohen e hapen çerdhe e pesë gjimnaze në…
Lajme
Kandidati për kryeministër, Albin Kurti, gjatë paraqitjes së ekspozesë në Kuvend, ka shpalosur prioritetet e programit qeverisës, duke premtuar investime të gjera në disa sektorë kyç.
Në arsim, ai ka paralajmëruar ndërtimin e çerdheve dhe pesë gjimnazeve të reja, si dhe rishikimin e teksteve shkollore. “Do të ndërtohen e hapen çerdhe e pesë gjimnaze në Kosovë për të ardhmen profesionale. Do të rishikohen tekstet shkollore, nga gjuha e matematika për të gjitha tekstet tjera për arsimin parauniversitar”, ka deklaruar Kurti, transmeton lajmi.net.
Në sektorin e shëndetësisë, ai ka premtuar kontroll shëndetësor periodik për qytetarët dhe decentralizim të sistemit. “Brenda vitit secili dhe secila do të kenë një kujdes shëndetësor që njihet si ‘Check-up’. Do ta decentralizojmë në tërësi shëndetësinë, spitalin e ri në Mitrovicë e Ferizaj”, është shprehur ai, duke shtuar se do të rritet edhe buxheti për barna.
Sa i përket bujqësisë, Kurti ka theksuar mbështetjen për fermerët. “Fermerët i bëmë më të mbështeturit në rajon e mbi 300 milionë euro përfituan ata në grante e subvencione. Të gjitha prodhimet e fermerëve do të përkrahen për standardizim e certifikim”, ka thënë ai, duke shtuar se produktet e certifikuara do të mbrohen me ligj, si brenda vendit ashtu edhe në BE. Ai ka njoftuar edhe për hapjen e mundësisë për aplikim gjatë gjithë vitit për grante, përmes “kartës së fermerit”.
Në infrastrukturë, Kurti ka përmendur një sërë projektesh rrugore dhe hekurudhore. “Përmes përfundimit të autostradës së Gjilanit dhe kyçjes në Korridorin 1, e pastaj rruga e Prizrenit me Tetovë, e pastaj rruga e Dukagjinit, rrugët Dollc-Gjakovë e në Kijevë do të finalizohen”, ka deklaruar ai. Sipas tij, “projektet infrastrukturore janë mjete që lidhin prodhuesin me tregun e vendin tonë me të ardhmen”.
Ai ka paralajmëruar edhe nisjen e përgatitjeve për linjën hekurudhore Prishtinë–Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari”, heqjen e taksës doganore për veturat e importuara nga BE-ja, kalimin në arka fiskale digjitale, si dhe masa për mbështetjen e bizneseve dhe inovacionit.
Në fushën e sigurisë dhe investimeve kapitale, Kurti ka theksuar se do të ketë investime mbi 1 miliard euro, pensionim të parakohshëm për policët dhe përmirësim të sistemit të gradave në Policinë e Kosovës. Ai ka shtuar se synohet që “së paku 1 mijë gra e vajza ushtarake” të jenë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Sipas tij, këto angazhime synojnë forcimin e shtetit funksional dhe krijimin e një perspektive zhvillimore për të gjithë qytetarët e vendit./lajmi.net/