Mbrojtja: Presidenti serb i një shteti të organizuar s’u gjet fajtor, ZPS-ja pretendon që Thaçi është përgjegjës penalisht si pjesë e grupit të armatosur joshtetëror

Mbrojtja e Hashim Thaçit, e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq, para trupit gjykues, të mërkurën po parashtron argumentet e veta se pse Thaçi është i pafajshëm në këtë çështje penale. Në prezantimin e tij edhe digjital, Mishetiq ritheksoi se deri më tani, jurisprudenca e gjykatave dhe tribunaleve ndërkombëtare ka përcaktuar se: NATO ndërhyri ushtarakisht në…

Lajme

11/02/2026 10:52

Mbrojtja e Hashim Thaçit, e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq, para trupit gjykues, të mërkurën po parashtron argumentet e veta se pse Thaçi është i pafajshëm në këtë çështje penale.

Në prezantimin e tij edhe digjital, Mishetiq ritheksoi se deri më tani, jurisprudenca e gjykatave dhe tribunaleve ndërkombëtare ka përcaktuar se: NATO ndërhyri ushtarakisht në Kosovë në vitin 1999 si përgjigje ndaj një Ndërmarrjeje të Përbashkët Kriminale Serbe që kishte filluar jo më vonë se tetori 1998, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas mbrojtjes, Prokuroria kërkon që vetëm mbi bazën e inferencës, të konstatojnë se ishte UÇK-ja ajo që kishte planifikuar një Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale disa muaj më herët, në mars 1998.

Në prezantimin e saj, mbrojtja deklaroi se udhëheqësi politik serb, presidenti Milan Milutinoviq, nuk ishte penalisht përgjegjës për ngjarjet në Kosovë në vitet 1998 dhe 1999, sepse ai ishte një figurë politike që nuk kishte kontroll efektiv mbi forcat e RFJ-së, dhe për rrjedhojë nuk dha një kontribut të rëndësishëm në një Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale.

Megjithatë, sipas mbrojtjes, Prokuroria po kërkon që, vetëm mbi bazën e inferencës, të konstatohet se udhëheqësi politik kosovar shqiptar i UÇK-së, një grup i armatosur joshtetëror që kishte ekzistuar vetëm prej disa muajsh, kishte kontroll efektiv dhe ishte penalisht përgjegjës.

“ZPS-ja po u kërkon juve që pavarësisht se presidenti serb i një shteti të organizuar nuk ka pasur përgjegjësi penale për krimet masive të luftës dhe krimet kundër njerëzimit për shkak se nuk ka pasur kontroll efektiv, duke u bazuar në këtë deduksion iu duhet të konkludoni që udhëheqësi politik i shqiptarëve të Kosovës dhe UÇK-së, një grup i armatosur joshtetëror që kishte ekzistuar vetëm prej disa muajsh, kishte kontroll efektiv dhe ishte penalisht përgjegjës. Ky rezultat do të jetë një padrejtësi ligjore dhe historike”, tha Mishetiq.