Pesë nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës pritet të votohen në pako nesër
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (IKD) ka bërë të ditur se në mbledhjen përgatitore për seancën konstituive është arritur dakordim që zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit të bëhet përmes votimit në pako. Sipas tij, kjo mënyrë votimi do të përfshijë jo vetëm nënkryetarët nga komunitetet joshumicë, por të gjithë pesë nënkryetarët e Kuvendit,…
Lajme
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (IKD) ka bërë të ditur se në mbledhjen përgatitore për seancën konstituive është arritur dakordim që zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit të bëhet përmes votimit në pako.
Sipas tij, kjo mënyrë votimi do të përfshijë jo vetëm nënkryetarët nga komunitetet joshumicë, por të gjithë pesë nënkryetarët e Kuvendit, transmeton lajmi.net.
Cakolli thekson se një praktikë e tillë është në përputhje me Kushtetutën, pasi Gjykata Kushtetuese ia ka lënë Kuvendit në diskrecion mënyrën e votimit, për aq kohë sa respektohen e drejta e propozimit dhe shumica e nevojshme për zgjedhje.
Ai vlerëson se votimi në pako ka logjikë institucionale dhe se ka funksionuar edhe në të kaluarën, duke e përshpejtuar procesin e konstituimit dhe duke shpërndarë përgjegjësinë politike mes grupeve parlamentare.
Postimi i plotë:
Në mbledhjen e sotme përgatitore për seancën konstituive ka pasur dakordim që nënkryetarët të votohen në pako. Jo vetëm ata të komuniteteve, por të gjithë pesë nënkryetarët e Kuvendit.
Kjo mënyrë votimi është në përputhje me kuadrin kushtetues, pasi Gjykata Kushtetuese e ka lënë teknikën e votimit në diskrecion të vetë Kuvendit, për sa kohë respektohen të drejtat e propozimit dhe shumica e nevojshme për zgjedhje.
Për më tepër, votimi në pako ka logjikë të qartë institucionale dhe ka qenë zgjidhje funksionale edhe në të kaluarën. Kjo shpejton konstituimin dhe e detyron përgjegjësinë politike të ndahet mes të gjitha grupeve parlamentare. Megjithatë, ironikisht, pikërisht kjo praktikë që e patëm kërkuar vitin e kaluar ishte kundërshtuar nga ata që sot e shtynë përpara, madje ishte paraqitur si problem parimor.
E gjithë kjo, tregon se praktikat parlamentare marrin kuptim nga mënyra si përdoren. Kur shërbejnë për ta çuar përpara konstituimin dhe funksionimin e Kuvendit, ato mbeten mjete legjitime të rendit parlamentar./lajmi.net/