Kurti: Çdo përpjekje për të shtrembëruar luftën e UÇK-së është e papranueshme

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar ndaj kërkesës së Prokurorisë në Hagë për dënim prej 45 vitesh burg për secilin nga katër drejtuesit e akuzuar të UÇK-së, duke e cilësuar si të pabazë dhe jashtë standardeve ndërkombëtare të drejtësisë. Sipas Kurtit, thelbi moral dhe historik i luftës çlirimtare konsiston në mbijetesën dhe dinjitetin e…

Lajme

09/02/2026 21:53

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar ndaj kërkesës së Prokurorisë në Hagë për dënim prej 45 vitesh burg për secilin nga katër drejtuesit e akuzuar të UÇK-së, duke e cilësuar si të pabazë dhe jashtë standardeve ndërkombëtare të drejtësisë.

Sipas Kurtit, thelbi moral dhe historik i luftës çlirimtare konsiston në mbijetesën dhe dinjitetin e popullit. Ai ka theksuar se UÇK-ja ishte bartëse e një lufte të drejtë, ruajtëse dhe mbrojtëse, e zhvilluar në rrethanat e okupimit të egër dhe të dhunës që po shndërrohej në gjenocid shtetëror.

“Çdo përpjekje për t’i shkëputur veprimet individuale nga konteksti historik e politik rrezikon të deformojë të vërtetën dhe kuptimin e asaj lufte”, tha Kurti.

Ai ka bërë të qartë se UÇK-ja nuk ka pasur plan shfarosjeje të asnjë populli tjetër apo të civilëve.

Kryeministri në detyrë ka theksuar se kërkesa e Hagës injoron kontekstin e luftës në Kosovë dhe përpiqet ta vendosë këtë çështje në një vakuum juridik, duke shkëputur veprimet nga realiteti i një lufte çlirimtare.

“Republika e Kosovës mbetet e palëkundur në bindjen se UÇK-ja bëri luftë të drejtë dhe kryengritje anti-kolonialiste. Institucionet do të vazhdojnë të mbrojnë të vërtetën faktike e historike, vlerën dhe dinjitetin e luftës për liri si dhe parimet themelore të drejtësisë”,  tha Kurti, duke kundërshtuar çdo përpjekje për shtrembërimin e tyre. /Lajmi.net/