Gjykimi i katërshes së UÇK-së drejt fundit, cilat janë procedurat përpara?

Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është në kilometrin e fundit, dhe pak hapa kanë mbetur deri te vendimi i trupit gjykues të Dhomave të Specializuara të Kosovës, në Hagë, për akuzat ndaj tyre për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi,…

Lajme

08/02/2026 11:10

Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është në kilometrin e fundit, dhe pak hapa kanë mbetur deri te vendimi i trupit gjykues të Dhomave të Specializuara të Kosovës, në Hagë, për akuzat ndaj tyre për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat.

Ata akuzohen për veprat penale që përbëjnë krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje.

Krimet pretendohet se janë kryer midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

Në fillim të javës së ardhshme pritet të nisin deklaratat përmbyllëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Mbrojtësit të Viktimave dhe të ekipeve mbrojtëse të ish-eprorëve të UÇK-së, të cilët ndodhen në qendrën e paraburgimit të asaj që njihet si Gjykata Speciale, në Holandë, që nga nëntori i vitit 2020.

Çfarë ka ndodhur deri më tani?

Aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj katërshes së UÇK-së u konfirmua më 26 tetor të vitit 2020. Me t’u bërë publike, më 5 nëntor të po atij viti, të akuzuarit u dërguan në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Pastaj nisi procedura paraprake, kur u mbajtën një sërë konferencash statusore, e u prezantuan materiale dhe prova të ndryshme. Gjykimi nuk filloi deri më 3 prill të 2023-tës.

Për tri ditë rresht, palët mbajtën deklaratat e tyre hyrëse. Fillimisht, prokurorët dhe mbrojtësit e viktimave.

Prokurorët e specializuar njoftuan se do të paraqisnin dëshmi se të akuzuarit ishin anëtarë të asaj që e konsiderojnë “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, që gjoja kishte shënjestruar kundërshtarët e perceptuar të UÇK-së. Në deklaratat hyrëse, ata thanë se ajo kishte udhëhequr një “luftë speciale” kundër atyre që i konsideronte “kolaboracionistë” dhe “tradhtarë”.

Në fjalimin e tij hapës në nisje të gjykimit, prokurori i specializuar, Alex Whiting, deklaroi se “shumica e viktimave të të pandehurve ishin bashkëkombës shqiptarë të Kosovës”.

“Në zellin e tyre për të goditur dhe eliminuar ata që i konsideronin kundërshtarë, të pandehurit mbështetën dhe zbatuan një politikë që shpesh i viktimizonte edhe të vetët e tyre”, tha Whiting.

Ndërkaq, përmes deklaratave të tyre hyrëse, për dy ditë me radhë, duke nisur nga 4 prilli i vitit 2023, ekipet mbrojtëse argumentuan se UÇK-ja s’kishte një komandë fikse, duke hedhur poshtë akuzën se ata ishin pjesë e “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”, siç pretendon Prokuroria.

Në seancën e 4 prillit, u deklarua edhe vetë Thaçi. Ai tha se është vërtetuar se UÇK-ja nuk ka kryer veprën e trafikimit të organeve, akuzë që ishte bërë nga ish-senatori zviceran, Dick Marty, që u konkretizua në një raport të Këshillit të Evropës më 2011. Pikërisht ky raport shërbeu si pikënisje për krijimin e Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës, me seli në Hagë.

“Bota tani e di sot, si rezultat i këtij procesi, se nuk kishte trafikim organesh dhe se Shtëpia e Verdhë nuk ka ekzistuar kurrë. Tani e dimë se edhe unë, edhe UÇK-ja, populli i Kosovës dhe gjithë shqiptarët, jemi shfajësuar nga këto akuza. E vërteta është thënë, dhe reja e zezë mbi Kosovën është hequr. Pra, kjo sakrificë ia ka vlejtur”, u shpreh Thaçi.

Që nga prilli i vitit 2023, e deri në dhjetorin e vitit 2025, palët paraqitën prova e thirrën dëshmitarë në gjykatore.

Në rastin ndaj katërshes së UÇK-së vlerësohet se janë 155 viktima pjesëmarrëse. Zyra e Prokurorit të Specializuar ftoi në gjykatore 125 dëshmitarë, ndërkaq 117 të tjerë dorëzuan dëshmitë e tyre me shkrim.

Një nga dëshmitarët e Prokurorisë ishte edhe Fadil Geci, i cili në tetor të vitit 2024 dëshmoi në Hagë se “Thaçi ka menduar të na shfarosë”.

“Kjo është e vërteta… me krejt familjen, qëllimi i tij ka qenë të na shfarosë”, shprehej Geci.

Në prill të vitit 2025, Prokuroria e Specializuar përmbylli fazën e prezantimit të dëshmitarëve, ndërkaq më vonë, gjatë atij muaji, e përmbylli paraqitjen e provave, duke prezantuar mijëra prova materiale, që tha se mbështesnin akuzat e saj.

Dy viktima u thirrën në gjykatore nga mbrojtësit e viktimave, ndërkaq shtatë dëshmitarë u ftuan nga ekipet mbrojtëse.

Dëshmitarët e mbrojtjes

Në shtator, ekipet mbrojtëse të Thaçit dhe Krasniqit nisën thirrjen e dëshmitarëve, dhe paraqitjen e provave të tyre. Ekipi i Veselit dhe ai Krasniqit zgjodhën të mos paraqisnin as prova, e as të thërrisnin dëshmitarë.

I pari që doli para gjykatores ishte James Rubin, ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, i cili për tri ditë rresht, në shtatorin e 2025-tës, dëshmoi në mbrojtje të Thaçit. Ai tha se ish-presidenti i Kosovës kishte rol kryesisht politik në UÇK, dhe s’kishte kompetenca për vendime ushtarake, duke shtuar se për çdo vendim të rëndësishëm ai duhej të merrte miratimin e komandantëve të zonave. Rubin dëshmoi se nuk kishte informacione që e lidhnin Thaçin dhe Krasniqin me pretendimet për vrasje.

Në gjykatore u paraqit edhe Christopher Hill, diplomat i pensionuar amerikan, që kishte qenë i dërguar i Uashingtonit gjatë luftës në Kosovë. Edhe ai ishte në të njëjtën linjë se Thaçi nuk ishte përgjegjës në UÇK, duke theksuar se nuk kishte informacione se Thaçi kishte urdhëruar aktivitete të paligjshme.

Ish-komandanti suprem i forcave aleate të NATO-s, Wesley Cark, ishte dëshmitari i fundit i mbrojtjes së Thaçit. Për dy ditë resht, në nëntorin e 2025-tës, ai dëshmoi për rolin e UÇK-së dhe të Thaçit. Sipas gjeneralit të pensionuar amerikan, Thaçi nuk mban përgjegjësi për aktet e dhunës në Kosovë.

Njeriu kryesor i fushatës së NATO-s ndaj caqeve serbe dëshmoi se UÇK-ja nuk kishte zinxhir komandues funksional, e as hierarki të plotë, dhe nëse do të kishte diçka të tillë, sipas tij, do të ishte e pamundur që SHBA-ja dhe NATO-ja të mos ishin në dijeni.

Ai i tha trupit gjykues se UÇK-ja nuk ishte terroriste dhe se pjesëtarët e saj luftuan për lirinë e tyre.

Deklaratat përmbyllëse

Me përmbylljen e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes, gjykimi kaloi në fazën tjetër: Dorëzimi i dosjeve përfundimtare nga palët, deri në fund të janarit.

Ndërkaq, nga 9 deri më 18 shkurt, palët do të mbajnë deklaratat përmbyllëse.

Fillimisht do të ketë radhën Prokuroria, ekipet e mbrojtësve të viktimave, dhe më pas nga 11 shkurti do të jetë radha e ekipeve mbrojtëse të të pandehurve.

Çështja te trupi gjykues

Pas përmbylljes së deklaratave, çështja kalon te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen dhe ta shpallin atë.

Nga Gjykata në Hagë më herët kanë treguar se gjykatësit mund të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit edhe për dy muaj, dhe në raste të jashtëzakonshme edhe më gjatë.

Teksa ky gjykim po shkon drejt fundit, Thaçi pritet të ketë ende punë me Dhomat e Specializuara, pasi ndaj tij pritet që së shpejti të nisë gjykimi për një rast të ndarë kundër administrimit të drejtësisë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar u themeluan në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por veprojnë me personel ndërkombëtar në Holandë.

Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000. /REL/