Kosova rrezikon të humbasë mjetet nga Plani i Rritjes
Një zëdhënës i Komisionit Evropian tha se të vetmet shtete që nuk kanë përfituar nga Plani i rritjes vazhdojnë të mbesin Kosova dhe Bosnja Hercegovina. Komisioni bëri të ditur se ka miratuar 6 agjenda të reformave dhe se deri më tani vetëm katër shtete kanë përfituar. Komisioni tha se është i gatshëm të ndihmojë partnerët…
Lajme
Një zëdhënës i Komisionit Evropian tha se të vetmet shtete që nuk kanë përfituar nga Plani i rritjes vazhdojnë të mbesin Kosova dhe Bosnja Hercegovina. Komisioni bëri të ditur se ka miratuar 6 agjenda të reformave dhe se deri më tani vetëm katër shtete kanë përfituar.
Komisioni tha se është i gatshëm të ndihmojë partnerët e Ballkanit Perëndimor të përshpejtojnë reformat e pa përmbushura brenda periudhës së tolerancës. Komisioni përmendi edhe rreziqet që ka Kosova t’i humbasë këto mjete si shkak i vonesave për formimin e institucioneve.
“Komisioni është i gatshëm të ndihmojë partnerët e Ballkanit Perëndimor të përshpejtojnë reformat e pa përmbushura, duke siguruar përmbushjen e tyre brenda periudhës së tolerancës. Periudha e tolerancës për hapat që duhej të përmbusheshin në fund të vitit 2024 përfundon në fund të vitit 2026, ndërsa për hapat që duhej të përmbusheshin në mesin e vitit 2025 përfundon në mesin e vitit 2026. Për këtë arsye, ne po u bëjmë thirrje partnerëve që të intensifikojnë përpjekjet për zbatimin në kohë të reformave, përpara periudhave të ardhshme të raportimit. Reformat duhet të mbeten prioritet për përfituesit, në mënyrë që të shfrytëzojnë maksimalisht atë që Plani i Rritjes u ofron atyre., rtv21.
Deri më tani nga Plani i Rritjes i BE-së më së shumti vlerësohet se ka përfituar Serbia me mbi 167 milionë euro e pasuar nga Shqipëria me mbi 163 milionë euro, Maqedonia e Veriut me mbi 80 milionë euro dhe Mali i Zi me mbi 45 milionë euro.
Vonesat në certifikimin e rezultatit zgjedhor të 28 dhjetorit kanë vonuar edhe formimin e institucioneve të reja. Në këtë situatë, nëse Kuvendi nuk arrin të konstituohet brenda muajit shkurt qytetarët në Kosovë që nga 1 marsi rrezikojnë të mbesin pa paga, pensione dhe skema sociale pasi që subjektet politike shkuan në zgjedhje të reja pa miratuar buxhetin për vitin 2026. Rrjedhimisht edhe pa i miratuar marrëveshjet ndërkombëtare nga të cilat përfiton Kosova.